Edhe pse kanë kaluar gjashtë vite nga tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit 2019, që mori dhjetëra jetë dhe la pas dëme masive në banesa, infrastrukturë dhe ekonomi, procesi i rindërtimit në Shqipëri vijon ende, pa një afat të qartë përfundimi. Ndryshe nga vitet e mëparshme, këtë vit institucionet nuk publikuan një bilanc të punës së kryer, por të dhënat buxhetore flasin qartë: kostot e rindërtimit vazhdojnë të rëndojnë mbi financat publike dhe pritet të zgjasin deri në vitet 2026–2027.
Ndërkohë, në kontrast të plotë me ritmet e ngadalta të procesit shtetëror, kompanitë e sigurimeve reaguan brenda një kohe shumë të shkurtër, duke u kthyer në burimin e parë real të mbështetjes financiare për familjet dhe bizneset e prekura.
Pak ditë pas goditjes tragjike, kompanitë e sigurimeve nisën procesin e vlerësimit të dëmeve për qytetarët dhe bizneset që kishin kontrata sigurimi prone. Përmes mobilizimit të ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, ato arritën që të vlerësonin dëmet brenda disa javësh, të likuidonin shpejt detyrimet financiare, të paguanin rreth 40 milionë euro dëmshpërblime për banesa të dëmtuara, objekte biznesi, hotele, ndërtesa industriale dhe pronë të luajtshme; të ndihmonin familjet dhe bizneset që të nisin menjëherë procesin e rimëkëmbjes.
Ky ishte një nga rastet më të qarta ku sigurimi i pronës u shfaq si instrument kyç për stabilitetin ekonomik dhe social pas një fatkeqësie natyrore. Për shumë familje, dëmshpërblimi i sigurimit ishte i vetmi burim i menjëhershëm likuiditeti.
Ndryshe nga procesi publik i rindërtimit, i cili kërkoi procedura të gjata, vendimmarrje të ndërlikuara dhe buxhete shumëvjeçare, kompanitë e sigurimeve arritën t’u përgjigjen klientëve të tyre brenda një periudhe rekord, duke zbutur menjëherë pasojat ekonomike të tërmetit.
Ndërsa sektorit privat iu deshën vetëm disa javë për të dhënë kompensimet, procesi publik i rindërtimit ka hyrë në vitin e gjashtë dhe vazhdon ende:
- Deri në fund të vitit 2024, 12 mijë familje kanë marrë çelësat e banesave të rindërtuara.
- Deri tani janë shpenzuar mbi 1 miliard euro fonde publike.
- Vetëm për vitin 2025 janë parashikuar edhe 5 miliardë lekë të tjera (50 milionë euro).
- Në vitin 2027 parashikohen 1.5 miliardë lekë shtesë.
Vitet e para të procesit ishin shoqëruar me shpenzime rekord: 16.5 miliardë lekë në 2020, 29.5 miliardë lekë në 2021 dhe 28.8 miliardë lekë në 2022.
Fakti që ende hapen tendera për pallate të reja pas 6 vitesh tregon qartë se procesi nuk ka përfunduar dhe nuk ka një datë të qartë mbylljeje.
Tërmeti i 26 nëntorit tregoi qartë se sigurimi i pronës nuk është një pagesë e panevojshme, por një mekanizëm jetik që garanton stabilitet financiar për familjet dhe bizneset, ul ngarkesën ndaj buxhetit të shtetit, përshpejton rimëkëmbjen ekonomike pas fatkeqësive natyrore.
Fakti që kompensimet nga sigurimet u paguan brenda javësh, ndërsa rindërtimi publik vijon edhe sot, është argumenti më i fortë pse rritja e kulturës së sigurimit në Shqipëri duhet të jetë prioritet. /ekofin.al

