Institucionet publike do të duhet të zbatojnë kërkesa më të forta për eficiencën energjetike në prokurimin e pajisjeve, shërbimeve, ndërtesave dhe punimeve, duke i dhënë përparësi produkteve që konsumojnë më pak energji dhe kanë performancë më të lartë.
Ndryshimet parashikohen në projektligjin “Për eficiencën energjetike”, i cili vendos detyrime për kontratat publike dhe koncesionet me vlera të barabarta ose më të larta se kufijtë e lartë monetarë të përcaktuar në legjislacionin për prokurimin publik.
Sipas nenit 9, autoritetet dhe entet kontraktuese duhet të prokurojnë produkte dhe shërbime që plotësojnë kërkesat specifike për kursimin e energjisë, ndërsa gjatë vlerësimit të investimeve do të merret në konsideratë edhe kostoja e përdorimit përgjatë gjithë jetëgjatësisë së produktit apo objektit.
Pajisje të klasave më të larta të eficiencës
Për produktet që mbulohen nga rregullat e etiketimit energjetik, projektligji parashikon blerjen e produkteve të dy klasave më të larta të eficiencës së energjisë, të disponueshme gjerësisht, ose të klasave të tjera më të larta sipas kërkesave specifike të miratuara.
Kërkesat përfshijnë kategori të ndryshme pajisjesh dhe shërbimesh, si kompjuterët, monitorët, tabletat, telefonat inteligjentë, ndriçimi rrugor, sinjalistika e trafikut, qendrat e të dhënave dhe shërbimet cloud.
Për gomat e automjeteve, parashikohet zgjedhja e klasës më të lartë të eficiencës së konsumit të karburantit, me përjashtime kur kërkesat e sigurisë ose shëndetit publik justifikojnë përzgjedhjen sipas kritereve të tjera.
Detyrimet shtrihen edhe te kontratat e shërbimit. Në këto raste, institucionet do të duhet të kërkojnë që kompanitë kontraktore të përdorin produkte që plotësojnë kriteret energjetike, kur pajisjet e reja blihen posaçërisht për realizimin e shërbimit të prokuruar.
Kushte edhe për ndërtesat që merren me qira
Ndryshimet prekin blerjen ose marrjen me qira të ndërtesave nga institucionet publike, brenda fushës së zbatimit të dispozitës.
Projektligji parashikon që kontratat e reja të blerjes ose qirasë të lidhen për ndërtesa që plotësojnë të paktën kërkesat e performancës energjetike të ndërtesave pa emetime.
Përjashtime lejohen në raste të caktuara, përfshirë ndërtesat që do t’i nënshtrohen rinovimit të konsiderueshëm ose ato me vlera të mbrojtura historike dhe arkitekturore.
Nëse institucioni dokumenton se në treg nuk ka ndërtesa që plotësojnë kriteret dhe se nevoja për objektin nuk mund të përmbushet ndryshe, ai mund të zgjedhë ndërtesën me performancën më të lartë energjetike të disponueshme.
Automjetet me emetime të ulëta, objektiva të posaçëm
Projektligji parashikon gjithashtu miratimin e një vendimi të Këshillit të Ministrave për promovimin e automjeteve me emetime të ulëta dhe eficiencë të lartë energjetike në transportin e udhëtarëve.
Vendimi do të përcaktojë kategoritë e automjeteve që përfshihen, përjashtimet dhe objektivat minimalë që duhet të arrihen.
Sipas draftit, institucionet do të kenë detyrimin për të publikuar informacion mbi ndikimin në eficiencën energjetike të kontratave që plotësojnë pragjet përkatëse të prokurimit.
Ndryshimet synojnë që shpenzimet publike të vlerësohen jo vetëm mbi bazën e kostos së blerjes, por edhe të energjisë që produktet dhe shërbimet do të konsumojnë gjatë përdorimit. /ekofin.al
