Turizmi në vend ka shënuar një rritje të ndjeshme të vizitorëve dhe të net qëndrimeve në strukturat akomoduese gjatë muajit Qershor. Të dhënat zyrtare të publikuara nga INSTAT tregojnë një ecuri pozitive për sektorin, me rritje të qëndrueshme si për turistët vendas, ashtu edhe për ata të huaj.
Sipas INSTAT, në qershor numri i përgjithshëm i vizitorëve që qëndruan në strukturat akomoduese në vend është rritur me 37,2% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2024.
Vizitorët jo-rezidentë kryesisht turistë të huaj u shtuan me 37,4%, ndërsa vizitorët rezidentë turistë vendas u rritën me 36,7%. Ky trend pozitiv ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në numrin e net qëndrimeve, i cili është rritur me 38,2% në total. Pjesa më e madhe e kësaj rritjeje vjen nga jo-rezidentët (+38,3%), ndërsa net qëndrimet nga rezidentët u rritën me 38,0%.
Rritja më e lartë e vizitorëve të huaj është regjistruar në zonat bregdetare, me një rritje prej +42,4%, duke konfirmuar sërish tërheqjen që ofron vijë bregdetare shqiptare në sezonin veror. Po ashtu, hotelet dhe strukturat e ngjashme të akomodimit patën një rritje prej +35,0%, çka tregon rritjen e besimit dhe interesit të turistëve për shërbimet hoteliere në vend.
Në krye të listës së vizitorëve jo-rezidentë që u akomoduan në Shqipëri në Qershor 2025 qëndron Kosova, me 19% të totalit. Italia ndjek me 13%, ndërsa Polonia zë vendin e tretë me 10%. Po ashtu, Gjermania (8%) dhe Franca (6%) kontribuojnë ndjeshëm në prurjet turistike. Vendet e tjera përfaqësojnë 44% të totalit të turistëve të huaj.
Ky shpërndarje gjeografike e vizitorëve tregon për një rritje të turizmit hyrës nga tregjet kryesore të rajonit dhe Evropës, por gjithashtu edhe për një diversifikim të burimeve turistike drejt vendeve më të largëta.
Përveç rritjes së fluksit të turistëve, është rritur ndjeshëm edhe norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele. Në Qershor 2025, kjo normë arriti në 39,5%, duke shënuar një përmirësim krahasuar me 35,9% që ishte në të njëjtin muaj të vitit të kaluar./ekofin.al
