Bashkimi Evropian do të nisë këtë fundjavë zbatimin e Sistemit të Ri të Hyrje-Daljeve (Entry/Exit System – EES) për shtetasit që nuk janë pjesë e BE-së, me fazën e parë që fillon më 12 tetor. Qëllimi i sistemit është të forcojë sigurinë kufitare dhe të identifikojë udhëtarët që qëndrojnë më shumë se 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore në zonën Shengen.
Sistemi, i vonuar prej vitesh, do të zbatohet gradualisht brenda gjashtë muajve, pasi kërkon instalimin e pajisjeve të reja për regjistrim biometrik në të gjitha pikat kufitare. Fillimisht, Estonia, Luksemburgu dhe Çekia do ta zbatojnë plotësisht që këtë fundjavë, ndërsa shtete si Zvicra dhe Gjermania do ta përfshijnë në disa aeroporte të përzgjedhura.
Në Mbretërinë e Bashkuar, regjistrimi për udhëtarët që kalojnë nga Porti i Doverit, Eurotunnel dhe Eurostar do të bëhet nën mbikëqyrjen e zyrtarëve francezë. Fillimisht, sistemi do të zbatohet vetëm për autobusë dhe kamionë, ndërsa për pasagjerët me makina nga 1 nëntori dhe për udhëtarët e zakonshëm të Eurostar në janar 2026.
Në pikat kufitare ku EES do të jetë aktiv, shtetasit nga Britania, SHBA dhe vende të tjera jo-BE do të duhet të skanojnë pasaportat dhe të dhënat biometrike (fotografi dhe shenja gishtash) në kioska vetëshërbimi. Të dhënat ruhen për tre vjet dhe përdoren për hyrjet e ardhshme, duke shmangur regjistrimin e përsëritur.
Megjithatë, autoritetet paralajmërojnë vonesa dhe radhë të gjata, sidomos gjatë muajve të parë të zbatimit. Eurostar ka njoftuar masa për të shmangur vonesat, duke dyfishuar numrin e sporteleve dhe stafit kufitar, si dhe duke lejuar ngjitjen më të hershme në trena.
Pas EES, BE do të zbatojë edhe sistemin ETIAS në fund të vitit 2026, që do të kërkojë nga shtetasit jo-BE pa vizë të aplikojnë online për leje udhëtimi (me tarifë 20 euro), e vlefshme për tre vjet. Kjo leje do të bëhet e detyrueshme nga viti 2027. Udhëtarët nga 60 vende jo-anëtare të BE-së do të duhet të zbatojnë ETIAS, por ka disa përjashtime. Tarifa do të hiqet për fëmijët nën 18 vjeç dhe të rriturit mbi 70 vjeç, megjithëse ata do të duhet të aplikojnë për autorizim.
BE njofton se fushata informuese do të zhvillohet në të gjitha pikat kufitare për të ndihmuar udhëtarët gjatë fazës së parë të zbatimit të sistemit të ri./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
