Familjet shqiptare vijojnë të mbeten kontributore të rëndësishme në rritjen e aktivitetit ekonomik të vendit, kryesisht përmes konsumit. Ndryshe nga sektori jofinanciar, ato kanë rol të kufizuar në investimet prodhuese.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në vitin 2024 sektori i familjeve dha një kontribut prej +3,9 pikë përqindje në rritjen nominale të vlerës së shtuar bruto, duke u renditur në vend të dytë pas sektorit jofinanciar.
Rritja e të ardhurave të disponueshme për familjet është gjithashtu domethënëse. Ato u rritën me 12,98% në vitin 2024 krahasuar me një vit më parë, duke reflektuar një përmirësim të ndjeshëm në të ardhurat nga paga, vetëpunësimi, përfitimet sociale dhe të ardhurat nga prona.
Megjithatë, pjesëmarrja e familjeve në investime mbetet e ulët. Vetëm 4,92% e vlerës së shtuar nga ky sektor është investuar në formim bruto të kapitalit fiks, në kontrast të fortë me 42,55% të investuar nga sektori jofinanciar. /ekofin.al



