Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hartuar një ligj të ri “Për tatimin mbi të ardhurat”.
Ligji aktual daton që prej vitit 1998 dhe ndër këto vite kanë ndodhur ndryshime në fushën e taksimit ndërkombëtar, ndërkohë që Shqipëria ka aderuar në nisma gjithëpërfshirëse që synojnë të shmangin tatimet dhe praktikat jo të ndershme tatimore (BEPS, MLI), etj.
Po ashtu, ndërhyrjet e shumta të bëra në vitet e fundit kanë deformuar neutralitetin e tatimeve.
Ligji i ri i propozuar prek të gjithë tatimpaguesit dhe pagamarrësit. Ligji është kuadër. Kategoritë që do të përjashtohen nga tatimi do të përcaktohen në dispozita kalimtare.
Risi e draftligjit është se përcakton tatimin e të ardhurave në dy kategori: tatimi i personave fizik ku përfshihen individi, individi tregtar dhe individi i vetëpunësuar, me tatimin mbi të ardhurat personale; tatimi i entiteteve juridike me tatimin mbi të ardhurat e korporatës.
Në draftligjin e ri, të ardhurat personale të cilat realizohen nga personi fizik (individ, individ tregtar dhe individ i vetëpunësuar) dhe të cilat i nënshtrohen tatimit mbi të ardhurat personale ndahen në: të ardhurat nga punësimi; të ardhurat nga biznesi; të ardhurat nga investimet.
Në draftligjin e propozuar, të ardhurat nga punësimi taksohen sipas një skeme progresive taksimi 13 % dhe 23 %.
Norma tatimore për bazën tatimore vjetore 0-2,040,000 do të jetë 13 % dhe mbi 2,040,000 do të jetë 23%.
Ndërkohë mbi bazën tatimore të të ardhurave nga punësimi aplikohen dhe zbritjet tatimore
Për të ardhurat nga biznesi deri në 10 milionë lekë në vit është parashikuar si opsion dhe një skemë e thjeshtë tatimi, duke deklaruar shpenzimet në një shumë të vetme, pa pasur detyrimin e mbajtjes së kontabilitetit.
Deri në vitin 2029 në projektligjin e ri parashikohet ruajtja e skemës ekzistuese të tatimit për bizneset e vogla me një qarkullim deri në 14 milionë lekë.
Pra, do të aplikohet një normë tatimore prej 0% mbi biznesin e vogël (prodhues, tregtarë, transport, ushqim social, etj) me qarkullim deri në 14 milionë lekë, qofshin individë tregtarë, individ i vetëpunësuar ose entitet deri në vitin 2029.
Norma e tatimit zero nuk do të aplikohet për tatimpaguesit individ i vetëpunësuar dhe entitete, të cilët furnizojnë shërbime profesionale.
Futja në skemën e tatimit nga 1 janari 2023 të furnizuesve të shërbimeve, duke adresuar fenomenin e identifikuar në lidhje me ofrimin e shërbimeve, kryesisht në profesione të lira, ka për qëllim eliminimin e mundësive për “shmangie ligjore të tatimit” nëpërmjet deklarimit të të ardhurave nga paga, si të ardhura nga biznesi i vogël, për të cilat tatimi është 0% deri në vitin 2029. Për profesionet e lira do të aplikohen normat progresive tatimore prej 13% dhe 23%.
Ndërkohë ligji nuk ndryshon sa I takon taksimit të të ardhurave nga investimit. Të ardhurat nga dividentët do të tatohen 8%, dhe çdo zë tjetër i të ardhurave nga investimi 15%.
Përveçse kur parashikohet ndryshe në këtë ligj, asnjë kosto nuk zbritet kundrejt të ardhurave nga investimi.
Tatimpaguesi i tatimit mbi të ardhurat personale me të ardhura vjetore të tatueshme nga punësimi, të ardhura vjetore të tatueshme nga biznesi dhe të ardhura vjetore të tatueshme nga investimi më pak se 2.000.000 lekë, mund të zbresë përveç shumave individuale sipas paragrafit 1 të nenit 22, shpenzimet korente për arsimin e fëmijëve në ngarkim të tij, në vlerën maksimale 100,000 lekë; medikamentet për fëmijët e tij ose në ngarkim të tij dhe personave që ka nën kujdestarinë e vet, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, sipas përcaktimeve në Vendimin e Këshillit të Ministrave
Në draftligjin e propozuar parashikohet tatimi i trashëgimisë, dhuratave dhe fitimeve nga lojërat e fatit. Norma e tatimit për trashëgimitë, dhuratat dhe të ardhurat nga lojërat e fatit është 15 %, pa zbritjen e ndonjë kostoja;
Përjashtohen nga tatimi dhurimet dhe trashëgimia e përfituar nga ata që do të kualifikoheshin si trashëgimtarë ligjorë në radhë të parë dhe të dytë (bashkëshort-bashkëshorte, prind-fëmijë, fëmijë-prind); dhurimet dhe trashëgimitë të marra nga ata që do të kualifikoheshin si trashëgimtarë të ligjshëm (përfshirë motër-vëlla) përveç shkallës së parë dhe të dytë, deri në 5.000.000 lekë për tatimpagues për pasuritë e paluajtshme, dhe deri në 1.000.000 lekë për pasuritë e luajtshme për tatimpagues; kalimi i të drejtës së pronësisë trashëgimtarëve ligjorë sipas neneve 361 dhe 363 të Kodit Civil, përkatësisht, nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria, kur prona rrjedh nga bashkëpronësia e detyrueshme e fituar në bazë të ligjit. nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, i ndryshuar.
Për fitimin korporativ, është parashikuar norma tatimore 15 %. Tatimit mbi fitimin korporativ do i nënshtrohen personat juridike. Në ligjin e ri që propozohet janë parashikuar dispozita tatimore për riorganizimin e korporatës, si dhe dispozita tranzitore për ruajtjen e incentivave të dhëna deri tani.