Administrata Tatimore do të intensifikojë monitorimin e tregtisë dhe shërbimeve online, një sektor që është zgjeruar me shpejtësi gjatë viteve të fundit, por që sipas administratës paraqet një sërë risqesh për fshehjen e qarkullimit, mosregjistrimin e aktivitetit dhe shmangien e detyrimeve tatimore.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar Planin Sektorial për Tregtinë dhe Shërbimet Online, përmes të cilit synon forcimin e pajtueshmërisë tatimore dhe formalizimin e ekonomisë dixhitale. Plani parashikon një qasje të shkallëzuar, që nis nga ndërgjegjësimi dhe njoftimet ndaj bizneseve dhe mund të përfundojë me verifikime, kontrolle në terren, blerje-test dhe hetime investigative për rastet me risk të lartë.
Në fokus të administratës janë aktualisht 2,016 subjekte aktive të identifikuara si pjesë e sektorit. Prej tyre, 1,537 ose 76% janë subjekte që paguajnë tatim mbi të ardhurat personale të biznesit, ndërsa 479 ose 24% janë subjekte të tatimit mbi të ardhurat e korporatave. Vetëm 26% e subjekteve në listë rezultojnë me përgjegjësi për TVSH, ndërsa 74% janë pa TVSH. Pjesa dërrmuese, 76%, janë persona fizikë dhe 68% e të gjithë subjekteve të evidentuara ndodhen në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë.
Vendosja e sektorit online në fokus lidhet me zgjerimin e fortë të këtij tregu. Sipas të dhënave të përfshira në plan, 42.4% e individëve të moshës 16-74 vjeç kishin kryer blerje online gjatë vitit 2024. Dokumenti evidenton një rritje relative prej 4.2 herësh krahasuar me vitin 2020, ndërsa kërcimi më i madh është regjistruar gjatë periudhës 2021-2022. Veshjet, këpucët dhe aksesorët përbëjnë kategorinë mbizotëruese, të ndjekura nga ushqimi me porosi, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e shitjeve realizohet përmes rrjeteve sociale.
Një nga problemet kryesore të evidentuara nga Tatimet është pagesa në dorëzim, e njohur si “cash on delivery”. Sipas planit, në këto raste porosia kryhet në mënyrë dixhitale, por pagesa realizohet me para në dorë, duke krijuar më pak gjurmë elektronike dhe hapësirë për fshehjen e qarkullimit dhe shmangien e detyrimeve tatimore. Në Shqipëri numërohen rreth 2.38 milionë përdorues interneti, me penetrim prej 85.6%, si dhe rreth 1.4 milionë përdorues aktivë të rrjeteve sociale.
Plani identifikon katër kategori kryesore aktorësh që do të jenë në vëmendjen e administratës: shitësit online të mallrave, aktivitetet e reklamimit online, telemarketingu dhe operatorët postarë apo korrierët.
Për shitjet përmes faqeve e-commerce, Instagram, Facebook apo aplikacioneve, Tatimet evidentojnë si risk rastet kur aktiviteti tregtar është i dukshëm dhe i përditshëm, por subjekti rezulton i paregjistruar ose deklaron një qarkullim minimal. Për reklamimin online, problem konsiderohet ofrimi i reklamave apo postimeve me pagesë pa faturim të rregullt. Ndërsa në telemarketing, vëmendja përqendrohet te shitjet e kombinuara me shpërndarjen përmes korrierëve dhe pagesën në dorëzim.
Një rol të veçantë pritet të kenë pikërisht kompanitë postare dhe korrierët. Ato janë njëkohësisht objekt i planit për detyrimet e tyre fiskale dhe burim informacioni për Tatimet. Evidencat mbi dërgesat dhe arkëtimet mund të përdoren për të rindërtuar volumin e shitjeve të subjekteve që tregtojnë online.
Administrata ka përcaktuar pesë risqe kryesore fiskale: mosregjistrimin e tatimpaguesve, deklarimin jo të saktë të qarkullimit, punonjësit e padeklaruar, nëndeklarimin e pagave dhe shmangien e regjistrimit në TVSH përmes fshehjes së xhiros.
Për trajtimin e këtyre rasteve është parashikuar një “piramidë” me katër nivele. Në fazën e parë Tatimet do të përdorin fushata informuese dhe mesazhe të synuara. Më pas do të aplikohen njoftime dixhitale në e-Filing për anomalitë e konstatuara, të pasuara nga kontaktet e drejtpërdrejta përmes Call Center-it.
Në nivelin më të lartë parashikohen verifikimet dhe kontrollet. Nga zyra do të bëhet kryqëzimi i të dhënave dhe verifikimi i deklarimeve, ndërsa në terren parashikohen vizita fiskale, verifikime të punonjësve dhe “blerje-test” për të kontrolluar nëse shitësi lëshon faturën për transaksionin. Për rastet e shmangies së rëndë, të përsëritur ose të organizuar, dokumenti parashikon edhe hetime investigative.
Kuadri i ri mbështetet në ligjin për procedurat tatimore, ligjin për TVSH-në dhe atë për faturën elektronike. Në dokument theksohet detyrimi për regjistrim përpara fillimit të aktivitetit, pavarësisht nëse veprimtaria zhvillohet fizikisht apo online, si dhe detyrimi për lëshimin e faturës për transaksionet online. Plani lidhet gjithashtu me Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027 dhe Planin Strategjik të Administratës Tatimore 2024-2028, ndërsa sektori online klasifikohet si sektor me përparësi risku për periudhën në vijim.
Tatimet kanë tashmë eksperiencë në formalizimin e shërbimeve dixhitale të ofruara nga kompani jorezidente. Sipas dokumentit, janë dërguar 278 kërkesa zyrtare drejt operatorëve që përfshijnë rrjetet sociale dhe komunikimin, shërbimet cloud, platformat e pagesave elektronike, argëtimin dixhital, platformat e rezervimeve turistike dhe shërbimet e sigurisë kibernetike. Administrata deklaron se plani i ri do të ndërtohet mbi këtë eksperiencë, duke përdorur edhe mekanizma të kryqëzimit të të dhënave.
Me planin e ri, tregtia në rrjetet sociale dhe në platformat e tjera dixhitale hyn kështu në një fazë monitorimi më të strukturuar nga administrata fiskale. Objektivi është që rritja e shpejtë e shitjeve online të shoqërohet edhe me deklarimin e qarkullimit, faturimin, pagesën e TVSH-së kur lind detyrimi dhe deklarimin e punonjësve e pagave, duke reduktuar avantazhin që aktivitetet informale mund të kenë ndaj bizneseve të formalizuara./ekofin.al
