Administrata Tatimore ka publikuar një sqarim zyrtar lidhur me mënyrën e përfitimit të kompensimit ushqimor dhe arsimor për individët, në kuadër të deklaratës vjetore të të ardhurave DIVA 2025. Sipas tatimeve, rimbursimi realizohet përmes dorëzimit të deklaratës në llogarinë personale në e-Filing, kur nga përllogaritja rezulton mbipagesë.
Individët që përfitojnë janë prindërit ose kujdestarët ligjorë me të ardhura vjetore të tatueshme deri në 1.2 milionë lekë, të cilët kanë plotësuar rubrikat përkatëse në DIVA 2025 për numrin e fëmijëve në ngarkim dhe për shpenzimet arsimore. Për çdo fëmijë nën 18 vjeç aplikohet një zbritje nga baza tatimore për shumën 48 000 lekë, ndërsa shpenzimet arsimore për fëmijët në ngarkim përfitojnë një zbritje totale deri në 100 000 lekë.
Për të marrë rimbursimin, qytetarët duhet të hapin një çështje si kërkesë për rimbursim në modulin “Çështjet e mia – Pyetje e Përgjithshme”, duke bashkëlidhur dokumentacionin përkatës: të dhënat e llogarisë bankare personale, certifikatën familjare dhe dokumentet justifikuese për shpenzimet arsimore, si kontratat me institucionet arsimore dhe faturat e pagesave, përfshirë edhe kurset e gjuhëve të huaja.
Tatimet theksojnë se kërkesa për rimbursim mund të bëhet vetëm një herë, nga anëtari i familjes me të ardhurat më të larta vjetore, dhe se kompensimi përfitohet edhe në rastet kur individi nuk ka detyrim për të deklaruar DIVA 2025. Sqarimi synon të orientojë qytetarët dhe të lehtësojë procesin e aplikimit për përfitimet fiskale të parashikuara nga ligji./ekofin.al




