Administrata Tatimore ka publikuar një seri pyetjesh dhe përgjigjesh për të sqaruar zbatimin e Ligjit nr. 86/2025 “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe të detyrimeve të pagueshme në doganë”.
Sqarimet vijnë në një moment të rëndësishëm për bizneset dhe individët që kanë detyrime të papaguara, pasi afati për të përfituar nga falja e 50% të principalit për detyrimet e periudhës 2015-2019 është deri më 30 qershor 2026.
Më poshtë janë pyetjet dhe përgjigjet kryesore të publikuara nga Administrata Tatimore:
A përfitojnë nga ligji gjobat për mosdorëzim në afat të pasqyrave financiare apo për mosdeklarim të Pronarëve Përfitues në QKB?
Jo. Sipas Tatimeve, këto gjoba nuk përfitojnë nga Ligji nr. 86/2025, pasi ligji zbatohet vetëm për detyrimet tatimore dhe doganore të papaguara ndaj Administratës Tatimore Qendrore, Administratës Tatimore Vendore dhe Doganave.
Si kryhet pagesa për të përfituar nga falja e 50% ose 25% të principalit?
Për detyrimet që i përkasin periudhës 2015-2019:
* Për faljen e 50% të principalit, tatimpaguesi duhet të paguajë 50% të mbetur të detyrimit nga data 10 qershor deri më 30 qershor 2026.
* Për faljen e 25% të principalit, duhet të paguhet 75% e principalit nga 10 qershori deri më 31 dhjetor 2026.
Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat fshihen plotësisht.
Tatimet sqarojnë gjithashtu se për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nuk falet detyrimi kryesor.
Kush nuk përfiton nga ligji?
Nuk përfitojnë tatimpaguesit që janë dënuar me vendim të formës së prerë ose janë në hetim apo proces gjyqësor për vepra penale në fushën tatimore dhe/ose doganore.
Kam vetëm gjoba dhe interesa për sigurimet shoqërore e shëndetësore, por kam paguar principalin. A përfitoj?
Po. Në rastet kur detyrimi kryesor rezulton zero lekë, fshihen gjobat dhe kamatëvonesat që i përkasin periudhës deri më 31 dhjetor 2024, përfshirë edhe ato të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
A falet detyrimi kryesor për periudhën 2020-2024?
Jo. Për detyrimet e krijuara gjatë viteve 2020-2024 nuk falet principali. Megjithatë, fshihen gjobat dhe kamatëvonesat nëse tatimpaguesi paguan 100% të principalit deri më 31 dhjetor 2026.
Çfarë ndodh me llogaritë bankare të bllokuara për shkak të detyrimeve tatimore?
Administrata Tatimore sqaron se pas përfundimit të procedurave të shuarjes ose fshirjes së detyrimeve, do të identifikojë periodikisht tatimpaguesit që rezultojnë pa detyrime dhe do të procedojë me heqjen e masave shtrënguese, përfshirë zhbllokimin e llogarive bankare.
Megjithatë, për të përshpejtuar procedurën, tatimpaguesi mund të paraqesë një kërkesë përmes sistemit e-Filing për heqjen e masave shtrënguese, pasi të ketë verifikuar se nuk ka më detyrime të papaguara.
A përfitojnë tatimpaguesit që kanë një vendim gjyqësor të formës së prerë në favor të Tatimeve?
Jo. Tatimet sqarojnë se nuk përfitojnë nga fshirja apo shuarja e detyrimeve tatimore ata tatimpagues që kanë detyrime për të cilat ekziston një vendim gjyqësor i formës së prerë në favor të Administratës Tatimore.
Me këto sqarime, Administrata Tatimore u bën thirrje tatimpaguesve të informohen mbi kushtet dhe afatet e ligjit, pasi data 30 qershor 2026 mbetet afati kyç për ata që synojnë të përfitojnë nga falja e 50% të detyrimit principal për periudhën 2015-2019. /ekofin.al

