Administrata Tatimore ka rikujtuar bizneset dhe institucionet publike se afati për zbatimin e detyrimit ligjor për pranimin e pagesave pa para në dorë po afron, ndërsa kanë mbetur edhe 27 ditë deri më 30 maj 2026, data kur ky detyrim duhet të jetë plotësisht i zbatuar.
Sipas njoftimit, detyrimi për vendosjen e pajisjeve POS/POI dhe ofrimin e opsioneve për pagesa “cashless” prek drejtpërdrejt një sërë sektorësh kyç të ekonomisë, duke përfshirë strukturat akomoduese, shërbimet e transportit, si dhe institucionet dhe shoqëritë publike me kapital shtetëror. Këto subjekte duhet të garantojnë që klientët dhe qytetarët të kenë mundësi të paguajnë përmes kartave bankare apo instrumenteve të tjera elektronike.
Administrata Tatimore thekson se kjo masë synon rritjen e transparencës në transaksione, përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe reduktimin e informalitetit në ekonomi. Pagesat elektronike konsiderohen një instrument kyç për gjurmueshmërinë e të ardhurave dhe uljen e evazionit fiskal, duke forcuar njëkohësisht disiplinën financiare në sektorët që tradicionalisht kanë pasur përdorim të lartë të cash-it.
Nga ana tjetër, bizneset pritet të përfitojnë edhe në aspektin operacional, pasi përdorimi i pagesave elektronike redukton kohën e shërbimit, minimizon rrezikun e gabimeve në menaxhimin e parasë fizike dhe rrit sigurinë në transaksione.
Tatimet u bëjnë thirrje të gjitha subjekteve që të mos e lënë për momentin e fundit përmbushjen e këtij detyrimi ligjor, por të marrin masat e nevojshme që brenda afatit të vendosur të jenë plotësisht në përputhje me kërkesat. Mosrespektimi i këtij detyrimi mund të sjellë pasoja ligjore dhe masa ndëshkuese, në përputhje me legjislacionin në fuqi. /ekofin.al
