Tatimet njoftojnë se kanë referuar në prokurori dy subjekte që operojnë në sektorin e ndërtimit në qarkun e Tiranës, të dyshuar për veprën penale të “fshehjes së të ardhurave”. Prej disa muajsh, tatimet po kalojnë në sitë bizneset, duke realizuar edhe një klasifikim mbi bazë risku, në kuadër të luftës kundër informalitetit, fshehjes së të ardhurave dhe evazionit fiskal.
Sipas njoftimit të tatimeve, Drejtoria e Hetimit Tatimor po kryen hetime ndaj disa subjekteve të shtrira në Republikën e Shqipërisë, të cilat pavarësisht njoftimeve të vazhdueshme, vazhdojnë të mos deklarojnë pagat reale të punonjësve të tyre.
Subjektet e hetuara i përkasin sektorit të ndërtimit dhe që aktivitetin e tyre e ushtrojnë në qarkun e Tiranës. Nga provat e mbledhura për këto subjekte krijohen dyshime të arsyeshme mbi ekzistencën e dy listëpagesave që këto shoqëri përdorin, ku njëra depozitohet pranë organeve tatimore dhe tjetra që është pasqyrë e gjendjes reale mbahet nga subjektet. Nga analiza e ushtruar rezultoi se informaliteti i pagave ishte në masën mbi 50%.
Nëpërmjet falsifikimit të të dhënave në listëpagesat e tyre dhe bilancet, që paraqesin në organet tatimore, ato raportojnë pagesa për punonjësit e tyre në vlera shumë më të ulëta sesa ato që janë realisht, duke sjellë për rrjedhojë një raportim joreal të pagesave për kontributet e sigurimeve shoqërore, që duhet të paguhen për një pagë dhe tatimit mbi të ardhurën nga paga. Rezulton se diferenca e pagës reale paguhet nën dorë, duke i mohuar individit të drejtën për pension të merituar.
Tatimet njoftojnë se aksionit kundër informalitetit të pagave do të vijojë, duke ftuar qytetarët që të denoncojnë rastet e nëndeklarimit në adresën e posaçme, punainformale@tatime.gov.al.
Tatimet po ushtrojnë prej muajit dhjetor kontrolle në 7 mijë tatimpagues të identifikuar me risk, të cilët nuk kanë reflektuar në korrigjimin e pagave edhe pas dy njoftimeve të Administratës Tatimore të realizuarar në nëntor të vitit të kaluar. /ekofin.al