Administrata Tatimore njoftoi se është gati për të rimbursuar brenda dhjetorit tatimpaguesit, që ofrojnë shërbime profesionale dhe që kanë kryer pagesën e kësteve paraprake të tatim fitimit dhe tatim fitimit të thjeshtuar.
Tatimet njoftuan se bizneset duhet të kenë kujdes dhe të saktësojnë të dhënat e llogarive bankare në e-Filing deri në datën 10 dhjetor.
Llogaria bankare duhet të jetë në monedhën Lek
Llogaria bankare duhet të jetë aktive në një nga bankat e nivelit të dytë.
Pak ditë më parë, Qeveria miratoi përmes një Akti Normativ, kthimin e parave për profesionistët e lirë që kishin realizuar pagesën e këstit të parapagimit për muajt e parë të këtij viti. Në fund të qershorit, Gjykata Kushtetuese rrëzoi një pjesë të ndryshimeve në ligjin për të ardhurat, ku parashikohej edhe tatimi prej 15% për profesionet e lira, por la në fuqi tatimin prej 23%. Sipas ligjit aktual, nëse nuk do të ketë ndryshime të mëtejshme në të ardhmen, tatimi i profesionistëve të lirë do të fillojë në vitin 2029, njësoj me bizneset e tjera.
Gjykata Kushtetuese vendosi në mënyrë unanime pranimin e çështjes që është brenda juridiksionit të saj dhe rrëzoi diskriminimin e profesionistëve të lirë, duke u bazuar tek argumentet që paraqitën palët paditëse.
Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” parashikonte që zbatimi do të niste për profesionistët e lirë nga 1 janari 2024 dhe për bizneset e tjera në vitin 2029.
Qeveria parashikonte që të arkëtonte 75 milionë euro nga 29 mijë profesionistët në vitin e parë të zbatimit të ligjit, bazuar në fitimet e deklaruara prej tyre në 2023-n.
Llogaritet që nga tatimi i parapaguar janë arkëtuar rreth 5 milionë Euro, por në lidhje me kthimin mbrapsht të parave në formën e rimbursimit do të jenë tatimet që do të dalin me një shifër më të saktë në fund të procesit.

