Administrata Tatimore ka dalë me një thirrje të drejtpërdrejtë për të gjithë subjektet që ushtrojnë aktivitet tregtar online, duke kërkuar rritjen e transparencës dhe respektimin e detyrimeve ligjore në faqet e tyre të internetit.
Në një njoftim publik, tatimet theksojnë se çdo biznes që operon online duhet të publikojë në mënyrë të detyrueshme të dhënat identifikuese, përfshirë NIPT-in, emrin e subjektit, adresën dhe numrin e kontaktit. Sipas institucionit, mungesa e këtyre informacioneve përbën shkelje dhe sjell pasoja administrative.
Tatimet paralajmërojnë se mospublikimi i të dhënave mund të çojë në masa konkrete, duke përfshirë kërkesën për bllokim të përkohshëm të faqeve pranë AKEP, si dhe vendosjen e sanksioneve sipas legjislacionit në fuqi.
Thirrja vjen në kuadër të përpjekjeve për formalizimin e aktivitetit tregtar online dhe rritjen e kontrollit mbi këtë segment të ekonomisë, i cili vitet e fundit ka njohur zgjerim të shpejtë në Shqipëri.
Administrata Tatimore u bën apel bizneseve që të përmbushin këto detyrime për të shmangur penalitetet dhe për të operuar në përputhje me ligjin, duke theksuar se transparenca dhe identifikimi i plotë në internet janë tashmë kërkesa të panegociueshme.

