Nga 1 janari 2026, paga minimale mujore në Shqipëri rritet në 50,000 lekë, nga 40,000 lekë që ishte më parë. Paralelisht, rritet edhe paga maksimale për efekt të llogaritjes së kontributeve shoqërore, e cila vendoset në 186,416 lekë, nga 176,416 lekë.l, njoftuan sot Tatimet.
Ndryshimet vlejnë për të punësuarit, të vetëpunësuarit dhe punonjësit e papaguar të familjes.
Rritja e pagës minimale nga 40 mijë në 50 mijë lekë, e cila hyri në fuqi më 1 janar 2026, shoqërohet megjithatë edhe me një efekt të drejtpërdrejtë negativ për të gjithë të punësuarit me paga bruto mbi 176 mijë lekë në muaj. Ndryshe nga perceptimi i përhapur se rritja e pagës minimale prek vetëm shtresat me të ardhura të ulëta, ndryshimi paralel i tavanit maksimal për kontributet shoqërore krijon një efekt të kundërt për pagat mesatare dhe të larta.
Konkretisht, rritja e pagës maksimale për efekt kontributesh nga 176,416 lekë në 186,416 lekë do të përkthehet në një ulje të pagës neto për të gjithë të punësuarit që paguhen mbi këtë prag. Nga janari 2026, çdo individ me pagë bruto të paktën 186,416 lekë do të paguajë më shumë kontribute të sigurimeve shoqërore, pa përfituar asnjë rritje reale në pagën bruto.
Aktualisht, për kufirin maksimal prej 176,416 lekësh, punonjësi paguan 9.5% sigurime shoqërore, ose rreth 16,760 lekë të mbajtura çdo muaj nga paga. Me rritjen e tavanit të kontributeve, kjo shumë rritet në rreth 17,709 lekë, duke sjellë një kosto shtesë prej afro 950 lekësh në muaj për secilin të punësuar në këtë nivel dhe mbi të.
Në terma praktikë, kjo do të thotë se edhe pse paga bruto mbetet e pandryshuar, paga neto do të ulet që nga janari 2026, për shkak të kontributeve më të larta. Efekti është i njëjtë edhe për punëdhënësit, të cilët do të paguajnë më shumë për pjesën e tyre të kontributeve, duke rritur koston totale të punës. /ekofin.al
