Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar nisjen e vlerësimit të implementimit të paqes fiskale. Paqja fiskale do të jetë një marrëveshje midis Administratës tatimore dhe bizneseve e gjeneruar me ndihmën e Inteligjencës Artificiale, e cila shmang kontrollet tatimore, përmirëson klimën e biznesit, por duke garantuar mbledhjen e detyrimeve tatimore.
Në gjenerimin e kësaj marrëveshjeje do të merren parasysh disa faktorë si ecuria e ekonomisë; faktorë të tjerë specifik të bizneseve; algoritma të gjeneruar nga IA, të cilët do të shërbejnë për një taksim të drejtë dhe transparent, thuhet në njoftim.
Nisma u prezantua më herët nga Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me biznesin në Elbasan.
Në thelb, ky plan konsiston në një seri reformash dhe lehtësish fiskale, që do të ndërmarrë qeveria shqiptare me qëllim mbështetjen e biznesit të vogël dhe nxitjen e formalizimit të ekonomisë. Kjo paketë e veçantë i jep bizneseve mundësinë për të mbyllur çështjet e së kaluarës dhe për të pasur një marrëdhënie të re, më të drejtë dhe më të parashikueshme me shtetin.
Ndërsa sipas Ministres së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, për borxhet që datojnë nga 5 deri në 10 vite më parë, do të fshihen të gjitha kamatëvonesat dhe interesat për ato biznese që vendosin të shlyejnë detyrimin kryesor me një këst të vetëm – dhe në këtë rast, do t’u falet edhe 50% e detyrimit. Ndërsa për ata që nuk kanë mundësi financiare për të kryer pagesën menjëherë, do të ofrohet mundësia për të lidhur një marrëveshje pagese 12-mujore, me falje të 25% të detyrimit kryesor.
Për sa i përket borxheve të krijuara nga bizneset në 5 vitet e fundit, që lidhen me goditjet e njëpasnjëshme si tërmeti, pandemia dhe kriza e çmimeve, qeveria do të ofrojë falje të gjobave dhe kamatëvonesave për të gjitha bizneset që shlyejnë plotësisht detyrimin kryesor.

