Tatimet njoftojnë se po vijojnë kontrollet rastësore dhe ato mbi baza denoncimesh në kuadër të përpjekjeve për formalizimin e sektorit të turizmit dhe sektorëve të tjerë të ekonomisë. Këtë herë, janë penalizuar 2 subjekte që janë gjetur me shkelje në Korçë.
Pas denoncimit të qytetarëve dhe bizneseve përmes kanalit zyrtar Task – Forca e Terrenit inspektoi dhe konfirmoi shkelje të rënda të ligjit tatimor.
Nga kontrolli i ushtruar te të dy subjektet u evidentua 21 mijë euro të ardhura të fshehura vetëm për muajin shtator 2025, ku njëri subjekt kishte fshehje të ardhurash prej 8000 euro, ndërsa tjetri prej 13,000 euro.
Nga sekuestrimi i 2 pajisjeve kompjuterike u evidentuan edhe një sërë shkeljesh tatimore, si mall pa faturë, moslëshim autofature, moslëshimi i faturës për klientët dhe punonjës të padeklaruar.
Sipas Administratës Tatimore, këto veprime përbëjnë shkelje të drejtpërdrejta të ligjit dhe penalizimi i subjektit është pjesë e masave për të luftuar informalitetin.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur se nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj rasteve të kësaj natyre dhe se do të vijojnë ndërhyrjet e fokusuara për të goditur subjektet që operojnë jashtë kuadrit ligjor.
Tatimet ftojnë bizneset të respektojnë ligjin dhe të përmbushin detyrimet, për të shmangur masat që vijnë nga moszbatimi i tij. Gjithashtu falënderon qytetarët dhe i inkurajon ata për të denoncuar raste të tilla. /ekofin.al


