Pas përfundimit të procesit të dorëzimit të rreth 320 mijë deklaratave vjetore për vitin 2025, Administrata Tatimore ka dalë me një njoftim të detajuar, ku sinjalizon njëkohësisht përmirësimet në sistem dhe problemet që kanë dalë në pah gjatë këtij viti fiskal.
Fokusi kryesor i këtij viti ka qenë modernizimi i procesit të deklarimit, veçanërisht përmes deklaratës individuale DIVA, e cila për herë të parë është ofruar e paraplotësuar. Kjo do të thotë se individët kanë gjetur të reflektuara automatikisht të dhënat e tyre, të marra nga deklarimet e tatimit të mbajtur në burim dhe listëpagesat e punëdhënësve gjatë vitit. Sipas Tatimeve, kjo risi ka sjellë lehtësira konkrete: më pak kohë për plotësim, më pak gabime manuale dhe një rritje të përgjithshme të saktësisë në deklarim.
Megjithatë, pas këtij përmirësimi teknologjik, sistemi ka nxjerrë në pah një problem thelbësor që lidhet me cilësinë e të dhënave në burim. Administrata Tatimore evidenton se një pjesë e konsiderueshme e pasaktësive në deklaratat individuale lidhen drejtpërdrejt me mënyrën si bizneset dhe institucionet kanë deklaruar tatimin e mbajtur në burim. Konkretisht, problematika lidhet me deklarime joanalitike ose të pasakta, të cilat krijojnë mospërputhje mes të dhënave reale dhe atyre që shfaqen të paraplotësuara në sistem.
Kjo situatë ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta për individët, të cilët janë detyruar të verifikojnë, korrigjojnë apo plotësojnë manualisht deklaratat e tyre, duke humbur një pjesë të përfitimeve që solli paraplotësimi.
Në këtë kuadër, Administrata Tatimore e Shqipërisë thekson se deklarimi i tatimit në burim duhet të kryhet në mënyrë rigoroze dhe analitike për çdo përfitues të të ardhurave. Kjo nënkupton që çdo pagesë dhe çdo tatim i mbajtur duhet të jetë i lidhur qartë me identitetin e individit përkatës, në përputhje me kërkesat ligjore në fuqi.
Tatimet paralajmërojnë se mosdeklarimi i saktë nuk është thjesht një çështje teknike, por një problem që prek drejtpërdrejt të drejtën e individëve për një deklarim korrekt dhe transparent. Për më tepër, ai krijon vështirësi në proceset e verifikimit dhe rrit riskun për penalitete për subjektet deklaruese.
Për këtë arsye, u bëhet thirrje të gjithë tatimpaguesve, përfshirë bizneset private, institucionet dhe entet publike, që të rishikojnë deklaratat e tatimit në burim dhe të korrigjojnë çdo pasaktësi të evidentuar. /ekofin.al
