Administrata Tatimore ka penalizuar një bar-restorant në zonën e Belshit.
Pas denoncimit të një qytetar përmes kanalit zyrtar Task – Forca e Terrenit inspektoi dhe konfirmoi shkelje të rënda të ligjit tatimor.
Nga kontrolli dhe sekuestrimi i njësisë kompjuterike u evidentua 435 mijë euro të ardhura të fshehura për 9 muaj dhe një sërë shkeljesh tatimore, si mall pa faturë, moslëshim autofature, moslëshimi i faturës për klientët dhe punonjës të padeklaruar.
Sipas Administratës Tatimore, këto veprime përbëjnë shkelje të drejtpërdrejta të ligjit dhe penalizimi i subjektit është pjesë e masave për të luftuar informalitetin.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bëri të ditur se nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj rasteve të kësaj natyre dhe se do të vijojnë ndërhyrjet e fokusuara për të goditur subjektet që operojnë jashtë kuadrit ligjor.
Tatimet ftojnë bizneset të respektojnë ligjin dhe të përmbushin detyrimet, për të shmangur masat që vijnë nga moszbatimi i tij. Gjithashtu falënderon qytetarët dhe i inkurajon ata për të denoncuar raste të tilla.

