Administrata Tatimore bën bilancin e kontrolleve të vitit 2025 në sektorin e burimeve natyrore.
Sipas njoftimit, Tatimet kanë shtuar kontrollet dhe verifikimet në terren, duke përfshirë aktivitetet e naftës, gazit dhe bitumit, me qëllim garantimin e taksimit të ndershëm dhe forcimin e zbatimit të ligjit. Gjatë vitit 2025, fokusi është vendosur veçanërisht në sektorin e burimeve natyrore, ku janë kryer hetime të thelluara nga Drejtoria e Hetimit Tatimor, në bashkëpunim me Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj.
Si rezultat i kontrolleve dhe investimeve hetimore, janë konstatuar shkelje të rënda të legjislacionit tatimor, për të cilat subjektet përkatëse janë referuar në Prokuroritë kompetente për dyshime të arsyeshme mbi veprimtari të paligjshme.
Nga këto kontrolle janë vendosur detyrime tatimore dhe gjoba, të përllogaritura në vlerën e rreth 268 milionë euro.
Administrata Tatimore thekson se kontrollet, verifikimet dhe hetimet në terren do të vijojnë edhe gjatë vitit 2026, përfshirë sektorin e industrisë minerare, me synimin e parandalimit dhe goditjes së evazionit fiskal, garantimit të konkurrencës së ndershme dhe rritjes së transparencës në ekonominë shqiptare.

