Operatori i Gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP), TAP AG, ka përcaktuar tremujorin e katërt të vitit 2027 si afatin e planifikuar për përfundimin e impiantit të matjes së gazit dhe reduktimit të presionit në Shqipëri, në pikën e daljes në rajonin e Fierit.
“Si pjesë e projektit të zgjerimit të nivelit të parë të TAP-it, rreth 1.04 miliardë metra kub në vit (mld m³/vit) kapacitet shtesë afatgjatë transporti u bë i disponueshëm ndërmjet Kipoi-t dhe Italisë më 1 janar 2026. Një kapacitet shtesë afatgjatë prej rreth 0.16 mld m³/vit u alokua nga 1 tetori 2026 për hyrjen nga sistemi i DESFA-s dhe daljen në një pikë të re daljeje në Roskovec, Shqipëri.
Pavarësisht këtij zgjerimi, Projekti i Pikës së Daljes në jug të Fierit synon ndërtimin e një impianti për matjen e gazit dhe reduktimin e presionit, pranë stacionit të kompresimit të gazit ACS03, në afërsi të Fierit. Ky impiant do t’i dorëzohet qeverisë shqiptare pas përfundimit. Data e planifikuar për përfundimin e impiantit të matjes së gazit dhe reduktimit të presionit është tremujori i katërt i vitit 2027”, theksoi kompania.
“Që nga 1 tetori 2026, pika e interkonjeksionit Nea Mesimvria u bë dykahëshe dhe për këtë arsye përbën pikën e dytë fizike të hyrjes në sistemin TAP. Ky zhvillim mundëson rrjedhjen e gazit në të dyja drejtimet ndërmjet TAP-it dhe sistemit grek të transmetimit të gazit natyror, duke forcuar integrimin e tregjeve dhe fleksibilitetin në përgjigje të ndryshimit të kushteve të tregut”, shtoi kompania.
Që nga vënia në funksion e Gazsjellësit Trans-Adriatik, janë transportuar 61.4 miliardë metra kub gaz drejt vendeve europiane.
TAP AG po bashkëpunon me qeverinë shqiptare dhe kompaninë shtetërore Albgaz për krijimin e një pike hyrjeje/daljeje në qytetin e Fierit. /ekofin.al
