Shtimi i numrit të klinikave estetike dhe trajtimeve të ndryshme, të kryera kryesisht nga femrat, duket se ka shtuar gjithashtu edhe fluksin e hyrjes së mallrave kontrabandë. Policia e Shtetit ka bërë të ditur përmes një njoftimi zyrtar se ka zhvilluar kontrolle në 30 qendra estetike në Tiranë, për goditjen e rasteve të kontrabandimit dhe tregtimit të kundërligjshëm të botoksit mjekësor nga klinikat estetike.
Sipas njoftimit u vunë në pranga administratori i subjektit që kontrabandonte dhe magazinonte produktin e kundërligjshëm, si dhe furnizonte me të klinikat, si edhe u arrestuan administratoret e 2 klinikave.
Gjithashtu po procedohen penalisht administratoret e 5 klinikave, si dhe po punohet për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të 3 administratorëve.
Nga kontrollet dhe verifikimet në këto subjekte rezultoi se administratorët e tyre nuk deklaronin në organet tatimore, të ardhurat që përfitonin nga injektimi i produktit “Botulinum toxin” te pacientët, pasi produkti dyshohet se është i kundërligjshëm dhe i kontrabanduar.
