Të ardhurat nga taksat mjedisore në Shqipëri vijojnë trendin rritës, duke arritur në rreth 66.2 miliardë lekë në vitin 2024, me një rritje prej 9.45% krahasuar me vitin 2023. Ky zhvillim reflekton zgjerimin e bazës tatimore në sektorët që lidhen drejtpërdrejt me energjinë, transportin dhe ndotjen, por njëkohësisht tregon edhe strukturën e pabalancuar të këtyre të ardhurave.
Pesha kryesore në totalin e taksave mjedisore vijon të mbahet nga taksat e energjisë, të cilat përbëjnë 82.2% të totalit, duke konfirmuar varësinë e sistemit fiskal nga karburantet dhe produktet energjetike. Në vlera absolute, këto të ardhura arritën në 54.4 miliardë lekë në 2024, nga rreth 49.9 miliardë lekë një vit më parë, me një rritje prej 8.95%.
Ndërkohë, taksat e transportit zënë rreth 13% të totalit dhe u rritën me 10.53% në 2024, duke arritur në 8.6 miliardë lekë. Kjo rritje lidhet kryesisht me zgjerimin e flotës së automjeteve dhe taksat mbi përdorimin e tyre, një tregues indirekt i rritjes së konsumit dhe mobilitetit.
Segmenti me rritjen më të shpejtë rezulton ai i taksave të ndotjes, të cilat u rritën me 16.3%, duke arritur në 3.1 miliardë lekë. Megjithatë, pesha e tyre mbetet ende e ulët në strukturë, vetëm 4.7% e totalit, çka sugjeron një përdorim ende të kufizuar të instrumenteve fiskale për të adresuar ndotjen në mënyrë më direkte.
Në kontrast, taksat mbi burimet natyrore kanë pësuar rënie të ndjeshme me 18.77%, duke zbritur në vetëm 50 milionë lekë dhe duke përbërë një pjesë pothuajse të papërfillshme të totalit (0.08%). Kjo tregon një dobësi strukturore në taksimin e shfrytëzimit të burimeve natyrore, në një kohë kur këto instrumente përdoren gjerësisht në ekonomitë e zhvilluara për të nxitur menaxhim më të qëndrueshëm.
Në raport me ekonominë, të ardhurat nga taksat mjedisore përbënin 2.63% të PBB-së në vitin 2024, në rritje të lehtë nga 2.55% një vit më parë. Megjithatë, pesha e tyre ndaj totalit të të ardhurave tatimore dhe kontributeve shoqërore ka shënuar një rënie të lehtë në 10.04%, nga 10.10% në vitin 2023, duke treguar se rritja e tyre ka qenë më e ngadaltë krahasuar me burime të tjera fiskale.
Të dhënat konfirmojnë se sistemi i taksave mjedisore në Shqipëri mbetet i përqendruar kryesisht tek energjia dhe më pak tek instrumentet që synojnë drejtpërdrejt ndotjen apo shfrytëzimin e burimeve. Kjo strukturë ngre pikëpyetje mbi efektivitetin e politikave fiskale në drejtim të mbrojtjes së mjedisit dhe afrimin me praktikat e Bashkimit Europian, ku theksi vendoset gjithnjë e më shumë tek taksat që ndikojnë në sjelljen mjedisore të bizneseve dhe konsumatorëve. /ekofin.al



1 Comment
Pingback: 82% e taksave mjedisore vijnë nga energjia, çfarë tregon kjo për ekonominë? – Mjedisi Sot