Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko zhvilloi një takim në Bankën e Shqipërisë me Ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri Silvio Gonzato.
Guvernatori Sejko i shprehu mirënjohjen Ambasadorit Gonzato për çeljen e negociatave me BE për grupkapitullin e pare dhe një kohësisht e falenderoi për asistencën teknike që BE ka dhënë për forcimin e kapaciteteve të Bankës së Shqipërisë nëpërmjet fondeve IPA dhe programeve Twinning, në fusha të rëndësishme të bankingut qendror si stabiliteti makroekonomik dhe financiar, auditimi, mbikëqyrja dhe sistemet e pagesave, në mbështetje të përgatitjeve të saj për anëtarësimin në Sistemin Evropian të Bankave Qendrore dhe më pas në Eurosistem.
Ndërsa ambasadori Gonzato përgëzoi Guvernatorin Sejko për pranimin e Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA nën udhëheqjen dhe koordinimin e Bankës së Shqipërisë, si pjesë e projektit rajonal “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor”. Ai theksoi se me këtë anëtarësim, Banka e Shqipërisë përmbush me sukses një ndër ambiciet e saj kryesore në kuadër të procesit të integrimit evropian.
Sipas Guvernatorit, panorama ekonomike në Shqipëri, pavarësisht situatave sfiduese, ecuria në vend paraqitet e qëndrueshme dhe me tregues mjaft të mirë. Ndërsa theksoi se fokusi i politikave ekonomike gjatë kësaj periudhe ka qenë i orientuar drejt ruajtjes së stabilitetit të çmimeve, duke përshtatur qëndrimin e politikës monetare, si një parakusht për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit tonë dhe garantimin e stabilitetit të çmimeve në vend.
Ambasadori Gonzato vlerësoi punën e bërë kryesisht për Kapitullin 4 “Lëvizja e lirë e kapitalit” dhe Kapitullin 17 “Politika Ekonomike dhe Monetare”, të cilët drejtohen nga Banka e Shqipërisë, si dhe konfirmoi vullnetin për të rritur më tej bashkëpunimin dhe mbështetjen e BE-së për Bankën e Shqipërisë, nëpërmjet asistencës teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror dhe ndërmarrjes së projekteve të përbashkëta në të ardhmen.

