Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se Paketa fiskale 2022 është paketa më klienteliste dhe antibiznes.
Përmes një deklarate për shtyp, Tabaku tha se qeveria është angazhuar për të shkruar një politikë fiskale që favorizon oligarkët dhe bizneset e tyre në kurriz të sipërmarrjes.
“Në Paketën Fiskale qeveria do të favorizojë përmes përjashtimit nga TVSH-ja importet e makinerive dhe pajisjeve të realizimit të kontratave, bizneset që kanë mbi 500 milionë lekë duke hequr përjashtimin për biznese deri në 50 milionë lekë duke dënuar me falimentim bizneset e mesme dhe ato të vogla. Nga ky përjashtim fitojnë vetëm koncesionarët e mëdhenj të rrugëve me PPP”, tha ajo.
Sipas saj, kjo është vendimmarrje me standard të dyfishtë. “Thonë do heqim përjashtimet ndërkohë përjashtojnë vetëm të mëdhenjtë”, u shpreh Tabaku.
Deputetja e PD-së theksoi më tej se e njëjta mazhorancë që po i ul taksat oligarkisë dhe vetes së saj duke minuar dhe shkatërruar tregun e lirë, ka vendosur një akcizë për gazin e ngrohjes dhe gatimit.
“Janë mbi 80% e familjeve që gjetën shpëtimin tek gazi për ngrohje dhe gatim kur çmimi i energjisë u rrit pas ardhjes në pushtet të qeverisë Rama. Shqipëria 2022 do të ballafaqohet me paketën më klienteliste që është aplikuar ndonjëherë në Shqipëri. Shqiptarët që janë mbi 30% të varfër në nivelin më të ulët të varfërisë do të paguajnë”, deklaroi Tabaku.