Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka ngritur akuza të forta ndaj INSAT, duke i cilësuar të dhënat e këtij institucioni të pasakta dhe të manipuluara.
Nga foltorja e Kuvendit deputetja Tabaku deklaroi se INSTAT ka qenë një nga institucionet më të debatuara të viteve për saktësinë e të dhënave, manipulimin dhe cilësinë e tyre, situatë kjo prej vitesh.
“Mendoj se manipulimi i shifrave dhe të dhënave të INSTAT, lidhur me punësimin në bujqësi, rritjen e produktin.. etj, janë debat i hapur i viteve që nuk dua të ndaloj, por dua të ndaloj me disa element që lidhen me rritjen ekonomike dhe cilësinë e të dhënave që vijnë nga ky institucion”, tha ajo.
“Sot Shqipëria është duke përjetuar një nga krizat më të mëdha ekonomike të viteve të fundit dhe qeveria e fsheh këtë. Dhe unë nuk përgëzoj dot INSTAT që ka bërë vizita dhe ka shprehur në faqen e vet se shkëmbimet që kanë bërë delegacionet mes vendeve, në fakt nuk e paguajmë INSTAT për këtë detyrë. Norma më e lartë e inflacionit është më e larta në 20 vite e fundit. INSTAT thotë se po shkon në 6%, në fakt është më e lartë se aq. Çmimet po rriten ndërkohë që të ardhurat për frymë janë më të ulëta në rajon. Sipas FMN-së vendi ka rritjen më të ulët të PBB krahasuar me vendet e rajonit dhe ajo është pothuajse 2% ndërkohë që pritshmëritë janë që kjo shifër do të bëhet edhe më e vogël”, u shpreh Tabaku.
Sipas saj Shqipëria ndodhet në një situatë të kapur me ligje që burojnë nga ky Parlament që kanë prodhuar jo vetëm pabarazi por kanë prodhuar një ndarje të jashtëzakonshme sesi njerëzit e përjetojnë krizën.
“Në raportin e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar raportohet se të ardhurat që vijnë nga mbledhja e të ardhurave personale janë 2.2% e PBB, peshën më të madhe e zë TVSH..etj. Ndërkohë që në 10 vitet e fundit të ardhurat nga taksat kanë qenë relativisht 1.5% më poshtë se parashikimet që janë bërë çdo vit. Shqipëria është në mbledhjen më të keqen të të ardhurave në raport të PBB, ndërkohë të gjitha ndryshimet fiskale të ndërmarra nga qeveria kanë ndikim te ajo që përjetojnë qytetarët shqiptar”, tha ajo.
Akuzat e Tabakut erdhën gjatë diskutimeve mbi raportin e veprimtarisë të Institutit të Statistikave për vitin 2021.