Një përpjekje për mashtrim ndaj qytetarëve shqiptarë nëpërmjet një SMS-je të rreme, që tentonte të përvetësonte të dhëna bankare në emër të Raiffeisen Bank, u parandalua dhe neutralizua në kohë rekord, njofton AKSK.
Falë bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional me Raiffeisen Bank dhe AKEP, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ndërmori menjëherë masat për të bllokuar aktivitetin keqdashës dhe aksesin në faqen mashtruese, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të këtij sulmi të tipit smishing.
SMS-të mashtruese si këto përpiqen të nxisin qytetarët të klikojnë në lidhje të dyshimta dhe të ndajnë informacione të ndjeshme financiare. Falë ndërhyrjes së shpejtë dhe monitorimit të vazhdueshëm, u parandalua që mos të ketë ndikim drejt qytetarëve shqiptarë.
Me këtë rast, AKSK i rikujton qytetarëve të mos klikojnë në lidhje të dyshimta nga burime të panjohura, të mos ndajnë të dhëna personale apo bankare përmes SMS apo rrjeteve sociale, të verifkojnë gjithmonë adresat zyrtare të bankave apo institucioneve, të kërkojnë nëse lind nevoja edhe ndihmën e një eksperti të sigurisë kibernetike dhe gjithmonë të raportojnë raste të ngjashme të sulmeve kibernetike, pasi në këtë mënyrë ndihmojnë autoritetet në parandalimin e sulmeve dashakeqe.

