Qeveria do të rishikojë për herë të tretë Buxhetin e këtij viti, duke bërë një rialokim të të ardhurave, kjo edhe për shkak se deri në fund të tetorit ishte akumuluar një suficit prej 72 miliardë Lekësh, për shkak të mosshpenzimeve.
Në një konferencë për mediat, ku foli për reformën e rritjes së pagave, Ministri i Financave, Petrit Malaj, e konfirmoi një fakt të tillë, duke theksuar se “bonusi i pranverës për pensionistët do të përcaktohet me rishikimin e buxhetit për vitin 2024”, rishikim që sipas tij do të bëhet së afërmi, pa specifikuar një datë.
Duke iu referuar shifrave të publikuara ditën e djeshme nga INSTAT, Malaj tha se “reforma në sistemin e pagave që nisi në 2023 dhe vazhdoi edhe në 2024, sot konsiderohet një objektiv i arritur dhe i përmbushur nga qeveria”.
Paga mesatare bruto në sektorin publik, në tremujorin e tretë 2024 arriti në rreth 987 euro, ose rreth 15% më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ministri i Financave Petrit Malaj u pyet në lidhje me faktin se sektori privat nuk ka ndjekur rritjen e sektorit publik. Ministri tha se përcaktimi i nivelit të pagave në sektorin privat rregullohet me Kodin e Punës dhe është çështje politikash që ndjekin punëdhënësit.
“Sa i përket informalitetit ne jemi në një proces që po ndiqet nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, më duhet të them që të gjitha bizneset private kanë reaguar pozitivisht në drejtim të njoftimeve që ka lëshuar Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Së shpejti, do të kemi disa rezultate konkrete dhe unë besoj se presioni pozitiv që po bën qeveria në aspektin e rritjes së pagave në sektorin publik, sikundër dhe lufta kundër informalitetit do të japin një rezultat pozitiv për sektorin privat. Sektori privat duhet të reflektojë të njëjtin trend që po ndjek sektori publik, nëse do të mbetet konkurrues në ekonominë shqiptare”, theksoi ai.
Ministri u pyet edhe në lidhje me me prokurimet publike, por nuk preferoi të komentonte. Ndërsa për mikrokreditë u shpreh se po punohet për një kuadër ligjor që të mos ndodhë më ajo që ndodhi më parë. Gjithashtu, sa i përket politikave fiskale, ai konfirmoi se për biznesin e vogël nuk do ketë ndryshim nga përjashtimi tatimor deri në vitin 2029. Por nuk specifikoi nëse do të ketë rikthim në skemat e taksimit për profesionistët e lirë apo jo. /ekofin.al
