Qeveria miratoi sot vendimin për subvencionimin e naftës për linjat e transportit urban. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, në një dalje për mediat, konfirmoi lajmin e njoftuar më herët nga ekofin.al se Qeveria mori sot vendimin për të subvencionuar të gjitha shoqatat e transportit publik me 50 lekë për litër naftë, kjo si pasojë e rritjes së çmimit të karburantit.
Karakaçi bëri të ditur se kjo masë parashikohet si kompensim për operatorët e transportit qytetas, ndërqytetas dhe rrethqytetas.
“Në mbledhjen e Qeverisë kaluam disa akte të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Një akt i rëndësishëm është ai i marrë në kuadër të masave subvencionuese që Qeveria shqiptare ka ndërmarrë në kohën e krizës së hidrokarbureve për transportin qytetas, ndërqytetas dhe rrethqytetas”, deklaroi ai.
Në një prononcim për ekofin.al pas këtij vendimi, kryetari i shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban vlerësoi kjo ndërhyrje konsiderohet e domosdoshme për stabilizimin e sektorit.
Dashnor Mema deklaroi se vendimi vjen pas një periudhe të gjatë kërkesash dhe negociatash nga operatorët e transportit, të cilët u përballën me vështirësi të thella financiare për shkak të rritjes së fortë të çmimit të naftës.
Sipas Memës, kërkesa fillestare e operatorëve kishte qenë për një kompensim prej 100 lekësh për litër karburant, por pas analizave dhe dakordësive me institucionet, u vendos subvencionimi në masën 50 lekë për litër, si një zgjidhje emergjente për të garantuar vijimin normal të shërbimit.
“Kjo i dha një frymë transportit publik dhe i bëri operatorët më të gatshëm për të ofruar shërbim me kapacitet të plotë, në mënyrë që qytetarët të mos përballen me pengesa në qarkullim”, theksoi ai.
Kreu i Shoqatës së Transportit Publik nënvizoi se vendimi ndihmon drejtpërdrejt sektorin të dalë nga kriza e krijuar nga kostot e larta të karburantit, ndërsa paralajmëroi se problematikat e tjera ekonomike mbeten ende të hapura dhe kërkojnë zgjidhje afatgjata.
“Për periudhën afatshkurtër tremujore, kjo është masa më e domosdoshme për sektorin: subvencionimi i drejtpërdrejtë i çmimit të karburantit. Me zbardhjen e vendimit, operatorët do të vijojnë procedurat për marrjen e kompensimit”, deklaroi Mema.
Ai shtoi se shumë kompani të transportit publik kishin krijuar borxhe të konsiderueshme ndaj furnitorëve të naftës gjatë muajve mars dhe prill, kur çmimi i karburantit kapërceu nivelin e 200 lekëve për litër.
“Shpresojmë që me këtë vendim të mund të shlyhen edhe detyrimet e prapambetura ndaj furnitorëve. Situata financiare ka qenë jashtëzakonisht e vështirë për operatorët”, tha ai.
Në përfundim, Mema la të hapur mundësinë e një shtyrjeje të skemës së subvencionimit edhe për tre muaj të tjerë, nëse çmimet e larta të karburantit vijojnë të mbeten në të njëjtat nivele.
“Për realitetin ku ndodhemi sot, ky është vendimi i duhur dhe shpresojmë që të ndihmojë të gjithë operatorët e transportit publik”, përfundoi ai. /ekofin.al
