Në mbledhjen e 26 dhjetorit të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave mori një vendim, i cili parashikonte se të gjithë subjektet që ofronin “Shërbime të ndërmjetësimit në tregun e punës dhe/ose formimit profesional” do të duhet të riaplikonin për të rifreskuar këto licenca deri në 30 gusht të vitit 2025.
Sipas VKM-së “të gjitha subjektet, që disponojnë licencë për formim profesional, kanë detyrimin të aplikojnë për ndryshimet e nevojshme, në përputhje me kriteret e reja, me qëllim mbajtjen e licencës, brenda datës 30 gusht 2025, në të kundërt ajo do të revokohet.”.
Bazuar në këtë ndryshim, sot, QKB u ka bërë një kujtesë këtyre subjekte, përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
Në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 853, subjektet janë të detyruara të përshtatin kriteret e licencimit brenda datës 30 gusht 2025, thekson Qendra Kombëtare e Biznesit.
Sipas QKB-së, subjektet duhet të aplikojnë për ndryshimet përkatëse në mënyrë që të mbajnë të vlefshme licencën.
Në rast të mosaplikimit brenda afatit të përcaktuar, licenca do të revokohet automatikisht, sipas përcaktimeve ligjore në fuqi. Aplikimi edhe në këtë rast, bëhet online në e-Albania. /ekofin.al


