Për herë të parë, shkencëtarët kanë paraqitur prova mbi ndikimin që përbërja gjenetike ka në zhvillimin e kancerit, duke nënvizuar nevojën për kujdes shëndetësor të personalizuar.
Shumë duhanpirës nuk zhvillojnë asnjëherë kancer të mushkërive, ndërsa disa persona që nuk kanë pirë kurrë duhan preken prej tij. Po kështu, jo të gjithë ata që ekspozohen ndaj rrezeve të diellit zhvillojnë kancer të lëkurës.
Një studim i ri, i publikuar në revistën Nature, mund të ndihmojë në shpjegimin e një prej mistereve të vjetra të biologjisë së kancerit: pse njerëzit e ekspozuar ndaj rreziqeve të ngjashme mjedisore përjetojnë rezultate shumë të ndryshme.
“Ky studim na jep një tregues shumë interesant se gjenet e trashëguara mund të kenë një ndikim të madh në mënyrën se si zhvillohet kanceri pas dëmtimit të ADN-së”, tha në një deklaratë Sam Godfrey, drejtues për informacionin kërkimor në organizatën Cancer Research UK.
Studiuesit zbuluan se edhe ndryshime relativisht të vogla gjenetike të trashëguara mund të ndryshojnë mënyrën se si evoluojnë tumoret pas ekspozimit ndaj të njëjtit dëmtim të ADN-së që shkakton kancer.
Sipas tyre, gjetjet tregojnë se gjenetika e trashëguar dhe diversiteti i popullatave duhet të merren parasysh në strategjitë e ardhshme për parandalimin dhe depistimin e kancerit.
Rezultatet sugjerojnë se prejardhja gjenetike e trashëguar e një personi ndihmon në përcaktimin e mutacioneve që përforcohen, mënyrës se si zhvillohen tumoret dhe, potencialisht, reagimit të tyre ndaj trajtimit.
“Kemi arritur të tregojmë për herë të parë shkallën në të cilën prejardhja gjenetike ndikon si në proceset e mutacioneve, ashtu edhe në rrugët që çojnë në zhvillimin e tumorit”, tha Duncan Odom, i cili drejtoi kërkimin gjatë kohës kur punonte në Institutin CRUK Cambridge dhe aktualisht është pjesë e Qendrës Gjermane të Kërkimit mbi Kancerin në Heidelberg.
Studiuesit përdorën katër linja minjsh me përbërje të ndryshme gjenetike, për të pasqyruar nivele diversiteti të ngjashme me ato që gjenden te njerëzit.
Më pas, ata i ekspozuan kafshët ndaj dozave të njëjta të një kancerogjeni të njohur të mëlçisë, dietilnitrozaminës, e cila gjendet në tymin e duhanit dhe në disa ushqime të përpunuara. Kjo substancë dihet se dëmton ADN-në e qelizave të mëlçisë, duke shkaktuar mutacione që mund të nxisin fillimin e rritjes së tumorit.
Megjithëse morën të njëjtën dozë të substancës kancerogjene, në të njëjtën moshë prej 15 ditësh dhe në kushte të kontrolluara, kafshët zhvilluan kancer përmes rrugëve të ndryshme evolutive, në varësi të prejardhjes së tyre gjenetike.
Në total, u analizuan rreth 600 tumore për të rindërtuar mënyrën se si kishin evoluar kanceret.
Edhe pse shumë prej tumoreve aktivizuan në fund të njëjtat procese biologjike që nxisin rritjen e kancerit, ato arritën në këtë pikë përmes mutacioneve dhe ndryshimeve gjenetike të ndryshme. Kjo sugjeron se ADN-ja e trashëguar ndikon jo vetëm në rrezikun për t’u prekur nga kanceri, por edhe në mënyrën se si evoluon tumori pasi nis të formohet.
Studimi nënvizon nevojën për trajtim të personalizuar
Sipas studiuesve, gjetjet kanë rëndësi për depistimin e kancerit dhe mjekësinë e precizionit.
“Nëse prejardhja gjenetike ndikon si në rrezikun për kancer, ashtu edhe në trajektoren evolutive të tumoreve, strategjitë e ardhshme për parandalimin dhe depistimin do të duhet të marrin parasysh gjenetikën e trashëguar dhe diversitetin e popullatave”, tha Sarah Aitken, autore e studimit dhe profesoreshë e asociuar në Shkollën e Mjekësisë të Universitetit Yale.
Studiuesit sugjerojnë gjithashtu se gjenetika e trashëguar mund të ndikojë në reagimin ndaj trajtimeve që veprojnë mbi ADN-në e tumorit, përfshirë disa forma të kimioterapisë dhe radioterapisë.
“Mënyra se si njerëzit reagojnë ndaj barnave kundër kancerit ka të ngjarë të ndryshojë në varësi të gjenetikës së tyre të trashëguar. Për këtë arsye, mund të na duhet t’i përshtatim diagnozat dhe trajtimet”, tha Aitken.
Nëse këto rezultate konfirmohen edhe te njerëzit, ato mund të hapin rrugën për qasje më të personalizuara në përzgjedhjen e trajtimit dhe vlerësimin e rrezikut.
“Nevojiten ende më shumë kërkime për të kuptuar se çfarë nënkupton kjo te njerëzit, por kjo gjetje mund të ndryshojë mënyrën se si e kuptojmë fillimin e kancerit dhe të çojë në metoda më të fuqishme dhe më të sakta për ta luftuar atë”, tha Sam Godfrey./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
