Duhanpirësit e diagnostikuar me kancer shpesh ngrenë supet dhe vazhdojnë të tymosin, duke hamendësuar se disa cigare më shumë, nuk do të bëjnë ndonjë ndryshim.
Ata gabohen shumë, zbulon një studim i ri. Duhanpirësit kanë 22% deri në 26% më pak gjasa të vdesin nëse e lënë duhanin pas diagnozës me kancer, zbuluan studiuesit.
Rezultatet më të mira ndodhën te pacientët që e lanë duhanin brenda gjashtë muajve nga diagnoza e kancerit dhe hoqën dorë për të paktën tre muaj, raportuan studiuesit më 31 tetor në revistën “JAMA Oncology”.
“Ndërsa ndërprerja e duhanit promovohet gjerësisht në qendrat e kancerit për parandalimin e kancerit, ai mbetet i paadresuar nga shumë onkologë në kujdesin e tyre rutinë,” tha studiuesi kryesor Paul Cinciripini, drejtor ekzekutiv i Programit të Kërkimit dhe Trajtimit të Duhanit në Qendra e Kancerit “MD Anderson” e Universitetit të Teksasit. “Kërkimi ynë nënvizon rolin kritik të ndërprerjes së hershme të duhanit, si një ndërhyrje klinike kryesore për pacientët që i nënshtrohen trajtimit të kancerit”, shtoi Cinciripini.
Për studimin, studiuesit ndoqën më shumë se 4,500 duhanpirës të cilët ishin diagnostikuar me kancer dhe ishin në një program për të lënë duhanin në “MD Anderson”. Pothuajse e gjithë mbështetja për lënien e duhanit u sigurua nëpërmjet telemjekësisë.
Pacientët me kancer që abstenuan me sukses nga pirja e duhanit kishin një mbijetesë mesatare prej katër vjetësh, krahasuar me dy vjet për ata që nuk mund ta linin duhanin, tregojnë rezultatet.
“Kjo është një thirrje për veprim për ekspertët, organet rregullatore dhe institucionet për t’i dhënë përparësi ndërprerjes së duhanit si një pjesë integrale e kujdesit të linjës së parë ndaj kancerit,” tha Cinciripini.
Lënia e duhanit mund të përkthehet në një cilësi më të mirë jete dhe një jetë më të gjatë për ata që mund të qëndrojnë larg duhanit. “Sa më herët të jetë angazhimi në trajtimin e ndërprerjes së duhanit, aq më i madh është ndikimi në jetëgjatësinë e një pacienti,” tha ai.
