Sistemi bankar shqiptar vijon të japë sinjale të qarta të një zgjerimi të qëndrueshëm dhe të balancuar, duke reflektuar një rol gjithnjë e më aktiv në financimin e ekonomisë. Sipas një analize të publikuar nga Altax, gjatë periudhës janar 2025 – janar 2026, bilanci i institucioneve monetare është rritur me ritme solide, ndërsa struktura e tij dëshmon një thellim të ndërmjetësimit financiar.
Në janar 2026, totali i aktiveve bankare arriti në 2.35 trilionë lekë, në rritje me 7.43% në terma vjetorë. Por më domethënëse se vetë rritja është përbërja e saj: kredia bankare është zgjeruar me 12.87%, duke tejkaluar ndjeshëm ritmin e depozitave, të cilat u rritën me 7.79%. Ky diferencim tregon qartë se bankat nuk po akumulojnë thjesht likuiditet, por po e kanalizojnë atë drejt ekonomisë reale.
Si rezultat, pesha e kredisë në totalin e aktiveve është rritur në rreth 43.5%, një tregues kyç i rritjes së ndërmjetësimit financiar. Kjo do të thotë më shumë financim për konsum, investime dhe aktivitet ekonomik në tërësi.
Megjithatë, rritja e kreditimit nuk po shoqërohet me tensione në likuiditet. Raporti kredi/depozita (LDR) mbetet në nivele konservatore, midis 64.8% dhe 68.6%, duke reflektuar një sistem bankar me hapësirë të konsiderueshme për të zgjeruar më tej kreditimin pa rrezikuar stabilitetin. Paralelisht, raporti kapital/aktiva ruhet rreth nivelit 10.5%, duke konfirmuar një bazë të fortë kapitali dhe një qasje të kujdesshme ndaj rrezikut.
Familjet po bëhen motori i kreditimit
Një nga zhvillimet më të rëndësishme lidhet me ndryshimin e strukturës së kredisë. Edhe pse bizneset mbeten përfituesit kryesorë të financimit bankar, me rreth 50% të totalit, ritmi i rritjes së tyre është më i moderuar (+7.9%). Në të kundërt, kreditimi për familjet dhe sektorët e tjerë rezidentë është rritur me ritme shumë më të larta, rreth +18.5%, duke u kthyer në motorin kryesor të zgjerimit të kredisë.
Ky orientim i ri i kreditimit sugjeron një zhvendosje drejt konsumit dhe sektorëve si pasuritë e paluajtshme, si edhe mbështetje më të madhe për bizneset e vogla. Në afat të shkurtër, kjo pritet të nxisë kërkesën e brendshme dhe të mbështesë rritjen ekonomike, por në afat më të gjatë kërkon monitorim, për shkak të rritjes së ekspozimit ndaj rreziqeve ciklike.
Depozitat mbeten baza e fortë e sistemit
Në anën tjetër të bilancit, depozitat vijojnë të rriten në mënyrë të qëndrueshme, duke reflektuar besimin e publikut në sistemin bankar. Mungesa e luhatjeve të forta apo tërheqjeve të papritura konfirmon një bazë solide financimi, ndërsa ekspozimi i kufizuar ndaj instrumenteve komplekse dhe ndikimi i kontrolluar i kursit të këmbimit e forcojnë më tej profilin e qëndrueshmërisë.
Ky kombinim, likuiditet i lartë, kapitalizim i mirë dhe financim i mbështetur kryesisht në depozita, krijon një buffer të fortë për depozituesit dhe redukton ndjeshëm rrezikun sistemik.
Një sistem i fortë, por me sfida përpara
Në terma makroekonomikë, zhvillimet tregojnë një sistem bankar që po luan një rol aktiv në mbështetjen e ekonomisë dhe në transmetimin e politikës monetare. Rritja e kredisë drejt sektorëve rezidentë është një sinjal pozitiv për aktivitetin ekonomik.
Megjithatë, dinamika më e shpejtë e kreditimit për familjet krahasuar me bizneset sugjeron se struktura e rritjes ekonomike mund të jetë gjithnjë e më shumë e mbështetur nga konsumi, sesa nga investimet produktive afatgjata. /ekofin.al
