Më shumë se 230 milionë njerëz në javë i drejtohen ChatGPT për këshilla mjekësore – nga verifikimi nëse një ushqim është i sigurt për t’u konsumuar, te menaxhimi i alergjive apo gjetja e mënyrave për të kaluar një ftohje, sipas OpenAI.
Megjithëse performon mirë në rastet “tekstbook”, ChatGPT Health dështoi të rekomandojë trajtim urgjent në disa raste serioze, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën Nature.
Studimi zbuloi se ndërsa mjeti zakonisht trajtonte saktë emergjencat e qarta, ai nënvlerësonte më shumë se gjysmën e rasteve që kërkonin kujdes urgjent.
“Ne donim t’i përgjigjeshim një pyetjeje shumë bazike, por kritike: nëse dikush po përjeton një emergjencë të vërtetë mjekësore dhe i drejtohet ChatGPT Health për ndihmë, a do t’i thotë qartë të shkojë në urgjencë?” tha Ashwin Ramaswamy, autori kryesor i studimit në Mount Sinai në Nju Jork.
“ChatGPT Health performoi mirë në emergjencat tipike si goditja në tru ose reaksionet e rënda alergjike,” tha ai.
Megjithatë, ai shtoi se modeli i gjuhës kishte vështirësi në situatat ku rreziku nuk është menjëherë i dukshëm.
Në një skenar me astmë, sistemi identifikoi në shpjegimin e tij shenjat e hershme të dështimit respirator, por megjithatë këshilloi pritje në vend që të rekomandonte trajtim urgjent.
Ekipi kërkimor krijoi 60 skenarë klinikë të strukturuar, që mbulonin 21 specialitete mjekësore, me raste që varionin nga probleme të lehta të trajtueshme në shtëpi deri te emergjenca të vërteta mjekësore. Tre mjekë të pavarur përcaktuan nivelin e duhur të urgjencës për çdo rast, duke përdorur udhëzime nga 56 shoqata mjekësore.
ChatGPT Health u lançua nga OpenAI në janar 2026, duke u lejuar përdoruesve të lidhin të dhënat e tyre shëndetësore – si kartelat mjekësore dhe të dhënat nga aplikacione mirëqenieje si MyFitnessPal – për të marrë përgjigje më të personalizuara dhe të kontekstualizuara.
Rreziku i vetëdëmtimit u identifikua gabim
Studimi analizoi gjithashtu se si modeli reagonte kur përdoruesit raportonin qëllime për vetëdëmtim, dhe gjeti rezultate të ngjashme problematike.
ChatGPT Health supozohet të jetë programuar që, kur dikush përmend vetëdëmtim ose mendime vetëvrasëse, ta inkurajojë drejtpërdrejt të kërkojë ndihmë dhe të telefonojë një numër publik shëndetësor.
Megjithatë, baneri “Ndihma është e disponueshme”, që lidhej me linjën e krizës dhe parandalimit të vetëvrasjes, u shfaq në mënyrë të paqëndrueshme gjatë studimit.
Autorët vunë re se ky mekanizëm sigurie funksiononte më mirë për pacientin që nuk kishte përmendur një mënyrë konkrete vetëdëmtimi, sesa për ata që e kishin bërë këtë.
“Sjellja nuk ishte thjesht e paqëndrueshme, por në mënyrë paradoksale e përmbysur në raport me seriozitetin klinik,” thuhet në studim.
A është i sigurt përdorimi i ChatGPT Health?
Pavarësisht gjetjeve, studiuesit nuk sugjerojnë që konsumatorët duhet të heqin dorë plotësisht nga mjetet e inteligjencës artificiale për shëndetin.
“Si studente mjekësie që po trajnohem në një kohë kur mjetet e shëndetit me AI janë tashmë në duart e miliona njerëzve, unë i shoh ato si teknologji që duhet të mësojmë t’i integrojmë me kujdes në kujdesin shëndetësor, dhe jo si zëvendësim të gjykimit klinik,” tha Alvira Tyagi, autore e dytë e studimit.
Autorët e studimit këshillojnë që njerëzit që përjetojnë simptoma që përkeqësohen ose janë shqetësuese – përfshirë dhimbje gjoksi, vështirësi në frymëmarrje, reaksione të rënda alergjike ose ndryshime në gjendjen mendore – duhet të kërkojnë kujdes mjekësor drejtpërdrejt, dhe jo të mbështeten vetëm te këshillat e një chatbot-i.
Studimi thekson gjithashtu se modelet e gjuhës me inteligjencë artificiale evoluojnë vazhdimisht dhe përditësohen shpesh, çka do të thotë se performanca e tyre mund të ndryshojë me kalimin e kohës.
“Fillimi i trajnimit mjekësor në të njëjtën kohë me mjete që evoluojnë në kohë reale e bën të qartë se rezultatet e sotme nuk janë të pandryshueshme,” tha Tyagi.
Ajo shtoi se kjo realitet që ndryshon me shpejtësi kërkon rishikim të vazhdueshëm, për të siguruar që përmirësimet teknologjike të përkthehen në kujdes më të sigurt për pacientët./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
