Sipas standardeve ndërkombëtare, fëmijët nën 5 vjeç duhet të kenë tre orë në ditë aktivitet fizik, duke përfshirë të paktën një orë ushtrime, si dhe maksimumi një orë para ekranit dhe 10 deri në 13 orë gjumë. Por nga një analizë e re globale, tre në katër fëmijë të vegjël në Evropë shpenzojnë shumë kohë para ekranit, nuk flenë mjaftueshëm dhe nuk lëvizin sa duhet.
Studimi me 7000 fëmijë nga 33 vende të ndryshme të botës, i kryer nga JAMA Pediatrics, gjeti se vetëm 14.3 për qind e fëmijëve tre dhe katër vjeç i përmbushin të gjitha këto standarde. Sipas studimit, 81 për qind flenë mjaftueshëm, por vetëm 41,8 për qind përmbushin rekomandimet për kohën para ekranit dhe 49,2 për qind kanë mjaftueshëm aktivitet fizik.
Normat paraqiten pak më mirë në Afrikë dhe Evropë, ku rreth një e katërta e fëmijëve (23.9 dhe 23.5 përqind, respektivisht) përmbushin të tre standardet. Gjysma e fëmijëve evropianë (50 përqind) kanë mjaftueshëm kohë të kufizuar para ekranit, ndërsa 53.5 për qind e fëmijëve bëjnë mjaftueshëm stërvitje dhe pothuajse të gjithë (94.7 përqind) flenë mjaftueshëm.
Vajzat evropiane kanë më shumë gjasa se djemtë të përmbushin udhëzimet për kohën para ekranit, megjithatë ato ushtrohen më pak, zbuloi studimi.
Në nivel rajonal, Amerika e Veriut dhe ajo e Jugut kanë zakonet më të mira dhe më të këqija. Ndërsa dy në tre fëmijë bëjnë mjaftueshëm aktivitet fizik, më i lartë se çdo rajon tjetër, fëmijët atje gjithashtu kalojnë më shumë kohë para ekranit, me vetëm 17 për qind që plotësojnë rekomandimet.
Koha e tepërt para ekranit lidhet gjithashtu me probleme shëndetësore. Sa më shumë kohë që 1-vjeçarët kalojnë në ekrane, aq më shumë ka të ngjarë që ata të kenë vonesa në zhvillim kur janë 2 dhe 4 vjeç, edhe pse nuk është ende e qartë nëse është pikërisht koha e ekranit që shkakton në të vërtetë problemet.
Disa vende evropiane po nxisin kufizimin e kohës së ekranit. Në shtator, Agjencia e Shëndetit Publik në Suedi rekomandoi ndalimin për fëmijët nën 2 vjeç. E njëjta qasje po ndiqet në Irlandë me ndalim për foshnjat deri në 18 muajsh. Ndërkohë në Francë ndalimi mendohet për të gjithë fëmijët nën 3 vjeç dhe deri në moshën 6 vjeç ajo duhet të jetë “fort e kufizuar”.
Vende të tjera, si Kina, kanë shkuar edhe më tej duke kufizuar, për shembull, lojërat online që synojnë të rinjtë. Megjithatë, ndalimi mund të mos jetë gjithmonë realist, duke pasur parasysh se teknologjia digjiitale është kudo në jetën e përditshme, sipas studiuesve nga Universiteti “Lund” në Suedi.
Sipas studimit, është “pothuajse e pamundur” t’i mbash fëmijët larg ekraneve dhe se një qasje me tolerancë zero thjesht mund t’i bëjë prindërit të ndihen të shqetësuar ose të turpëruar për përdorimin e ekranit nga fëmijët e tyre, në vend që të përkrahen për ta kufizuar. Megjithatë koha para ekranit mund të jetë me vlerë, si për shembull fëmijët të shohin programe edukative, të telefojnë gjyshërit dhe aktivitete të tjera të dobishme. /Përgatiti: Ekofin.al
