Dy resorte në ndërtim në veri të vendit kanë marrë statusin e veçantë “Investitor në strukturë akomoduese me 5 yje, status special”. Vendimi është marrë nga Këshilli i Ministrave në datën 30 dhjetor 2024.
Statusi special, sipas nenit 33/1 të ligjit “Për turizmin” i ndryshuar i jepet për subjektin që në mënyrë kumulative plotëson kushtet e investitorit në një strukturë akomoduese me 5 yje dhe certifikohet sipas ligjit, si dhe vlera e investimit është të paktën 15 milionë euro për ndërtimin e strukturës akomoduese me 5 yje.
Fshati turistik “Blue – Borgo “do të ndërtohet në kufi mes Ranës së Hedhun dhe zonës Baks-Rrjoll në Shkodër nga kompania “Gener 2” në pronësi të biznesmenit Bashkim Ulaj.
Prona ku do të ndërtohet resorti ka një sipërfaqe prej 147.2 ha. Këtu pritet të ndërtohen ndërtesa akomoduese dhe multifunksionale nga 3 deri në 10 kate lartësi. Në projekt parashikohen edhe 7 ndërtesa të cialt janë 10 kate të larta secila.
Sipas projektit të propozuar, asnjë ndërtim nuk do të realizohet brenda 300 m nga vija bregdetare, ndotja e ajrit do të jetë e përkoshme vetëm në afërsi të kantierit dhe ndërtimi nuk prek asnjë objekt të vlerave arkeologjike.
Projekti parashikon shtigje që lejojnë vizitorët të eksplorojnë mjedisin natyror duke minimizuar ndikimin në ekosistem, si dhe një rrjet shtigjesh për ecje dhe çiklizëm, duke inkurajuar sjellje të përgjegjshme dhe respekt për mjedisin.
Ndërkohë në Shëngjin, Lezhë, pritet të ndërtohet resorti turistik “Dukagjini resort”, hotel dhe kazino 7 kate dhe 2 kate nën tokë. Hoteli me 5 yje do të ketë 140 dhoma si dhe njësi akomoduese, së bashku me ambiente shërbimi si restorante, kazino dhe park ujor. Vlera e investimit për projektin e propozuar parashikohet të jetë 70.2 milionë euro dhe numri i të punësuarve parashikohet të jetë 218 punonjës. Kompania ndërtuese “DUKAGJINI” sh.p.k është në pronësi të manjatit kosovar Ekrem Lluka, i cili zotëron aksione në disa biznese që operojnë në fushën e telekomunikimit, shtypshkronjës, sigurimeve, ndërtimit, energjisë, shëndetësisë dhe mediave. /ekofin.al