Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar dhënien e statusit “Investim/Investitor Strategjik – Procedurë e Veçantë” për projektin “TEDA Prrenjas”, të propozuar nga kompania kanadeze “CVMR Albania” sh.p.k. me një vlerë investimi prej 205 milionë eurosh.
Çfarë parashikon projekti?
Ky projekt parashikon ndërtimin e një rafinerie për përpunimin e nikelit dhe një fabrike tullash në Bashkinë Prrenjas, me një sipërfaqe zhvillimi prej 5 hektarësh. Rafineria për përpunimin e nikelit në Shqipëri do të sigurojë një kapacitet të prodhimit të hekur-nikelit të papërpunuar deri në 10,000 ton të shfrytëzueshëm në vit. Pjesë e rafinerisë do jenë linjat e përpunimit paraprak dhe ndarjes mekanike me magnet. Gjithashtu synohet edhe ndërtimi i një fabrikë tullash të plota me kapacitet 300 milion tulla në vit, e cila do të përdorë si lëndë të parë mbetjet nga përpunimi fillestar i hekur nikelit bruto.
Vlera e investimit të projektit të investimit “TEDA Prrenjas” parashikohet të jetë 205 milionë Euro dhe pritet të punësojë 600 punonjës. Projekti do të zbatohet nga kompania kanadeze CVMR ® e cila planifikon të vendosë në funksionim impiantet dhe të fillojë prodhimin në fund të vitit 2026.
Sipas dokumentave dhe projektit, të cilat i disponon ekofin.al, impiantet e CVMR ® në Shqipëri do të prodhojnë produkte nikel dhe hekuri, si: pluhura nikel, nano-pluhura, forma komplekse të gatshme për përdorim në industrinë e mbrojtjes dhe atë të aeronautikës, super aliazh, pluhura nikel dhe hekuri të përdorura posaçërisht për printim 3D dhe prodhimin e pjesëve të makinave, pjesëve kompjuterike, elektronike, kallëpeve dhe veglave, përbërësve të baterive për automjete elektrike dhe instrumenteve mjekësore. Përmbajtja e hekurit, përveç aplikimeve të sipërpërmendura, mund të përdoret gjithashtu në industrinë farmaceutike dhe atë të aditivëve ushqimorë.
Ky projekt do t’i mundësojë Shqipërisë të shmangë varësinë nga tregjet e lëndëve të para të nikelit dhe hekurit dhe luhatjet ciklike të çmimeve të tyre.
Sipas vendimit, projekti ndahet në dy faza, përkatësisht atë të ndërtimit të infrastrukturës ndërtimore e më pas implementimin e moduleve dhe lidhjen me infrastrukturën ekzistuese.
Statusi “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Veçantë” i jepet projektit të investimit “TEDA Prrenjas” për një periudhë 3- vjeçare. /ekofin.al

