Qeveria shqiptare ka nisur një rrugëtim ambicioz për të integruar inteligjencën artificiale (AI) në sektorë të ndryshëm publikë, për të transformuar shërbimet publike, për të përmirësuar punën e institucioneve dhe për të rritur angazhimin e qytetarëve.
Në dokumentin e Politikave Prioritare 2026-2028, përshkruhen disa nga projektet që qeveria synon të realizojë përmes Inteligjencës Artificiale.
Qeverisja
Duke përdorur potencialin e AI-së dhe big data, Shqipëria synon të nxisë një qeveri më efikase, transparente dhe më të përgjegjshme. Madje, Inteligjenca artificiale mund të luajë një rol të vlefshëm në mbështetjen e përafrimit me acquis të BE-së nëpërmjet automatizimit të disa nga proceseve të punës së përafrimit, si: përkthimi, vlerësimi i ndikimit të acquis të BE-së, identifikimi i boshllëqeve, etj.
Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në procesin e përafrimit është pilotuar nga institucionet shqiptare gjatë periudhës gusht–dhjetor 2023 dhe ka rezultuar që ky instrument mund të përdoret gjerësisht nga administrata publike për përshpejtimin e procesit të përafrimit.
Synimi afatgjatë është integrimi i Inteligjencës Artificiale (AI) në të gjithë sektorët, duke synuar një ndikim transformues në kujdesin shëndetësor, arsim, bujqësi, taksa dhe tatime etj.
Sipas dokumentit, iniciativa të tilla si diagnostikimi i hershëm i sëmundjeve asistuar nga AI, rrugëtimet e personalizuara të arsimimit dhe bujqësia precize pritet të përmirësojnë ndjeshëm rezultatet e politikave dhe efikasitetin e shërbimeve. Për më tepër, këto iniciativa parashikohen të reduktojnë ndjeshëm punën manuale, të minimizojnë gabimet njerëzore dhe të thjeshtojnë proceset në të gjithë administratën.
Inovacioni digjital në qeverisje
Qeveria synon që me adoptimin i teknologjive të AI-së do ta pozicionojë Shqipërinë në krye të inovacionit digjital në qeverisje.
Projektet e ardhshme janë gjithashtu “E-Albania 2.0”, e cila do të vijë bashkë me Platformën e Ndërveprimit me teknologjinë më të fundit dhe e riorganizuar sipas modelit “life events”. Ky ndryshim synon t’i bëjë shërbimet edhe më të thjeshta për të gjithë, por dhe për ata me aftësi ndryshe dhe të moshuarit që do të kenë shërbyesin virtual të dedikuar, asistentin virtual të e-albania-s.
Aktualisht, në portalin e-Albania është implementuar Asistenti Virtual 1.0, i cili përdor inteligjencën artificiale për të gjeneruar automatikisht pyetjet që qytetarët mund të kenë rreth shërbimeve të ofruara në portal.
Paralelisht me përmirësimin e portalit e-Albania, është në zhvillim edhe Asistenti Virtual 2.0, i cili do të jetë një version më i avancuar. Ky version i ri do të përfshijë jo vetëm përmirësime funksionale, por edhe vizualizimin e asistentit, duke e bërë ndërveprimin më intuitiv dhe miqësor për përdoruesit. Në e-Albania do të integrohet inteligjenca e biznesit (business intelligence), për të vizualizuar dhe analizuar siç duhet të dhënat e shërbimeve dhe përdorimit të tyre, në mënyrë që t’u mundësohet institucioneve të marrin vendime më të mira, më të shpejta dhe më efikase gjatë ofrimit të shërbimeve publike, por edhe parashikime më të sakta në këtë aspekt.
Projekti për infrastrukturën e-Gov Qeverisja 2.0 parashikohet në vlerën 66 milionë euro, ndërsa zgjerimi i rrjetit GovNet në të gjithë Shqipërinë parashikohet mbi 46 milionë euro.
AI në transformimin rrënjësor të sistemit të prokurimeve
Përmes kësaj reforme pritet që të automatizohen plotësisht procedurat e prokurimit përmes një sistemi elektronik me inteligjencë artificiale, duke eliminuar nevojën për letra dhe komunikim me zyra, duke kaluar në qasjen zero letra dhe zero komunikim me zyrat. Bizneset do të kenë dosjet e tyre virtuale që do të ndërveprojë me sistemet e tjera shtetërore, duke e bërë procesin më të thjeshtë dhe të barabartë për të gjithë, përfshirë edhe bizneset evropiane. Për më tepër, sistemi e-Certis, i cili është sistemi evropian i prokurimeve, do të mundësojë verifikimin e deklarimeve, ndërsa sistemi Single Window i Doganave do të lehtësojë më tej këtë ndërveprim.
Përdorimi i inteligjencës artificiale dhe machine learning do të reduktojë gabimet njerëzore dhe do të automatizojë proceset si hartimi i termave të referencës, përcaktimi i fondeve limit dhe vlerësimi i procedurave të prokurimit. Kjo do të sjellë kursime financiare dhe do të krijojë një garë të drejtë, të barabartë dhe transparente në tendera.
Sistemi elektronik i prokurimit me Inteligjencë Artificiale, së bashku me digjitalizimin e shërbimeve vendore të qeverisjes lokale parashikohet mbi 76 milionë euro. /ekofin.al
