Qeveria synon përdorimin e inteligjencës artificiale (IA) në sektorët industrialë, duke kombinuar trajnime të specializuara, mbështetje financiare dhe mjedise testimi për zgjidhje inovative.
Strategjia Kombëtare e Inteligjencës Artificiale, e publikuar në konsultim publik, parashikon iniciativa informuese të përshtatura për nevojat e industrive të ndryshme. Seminare dhe konferenca të dedikuara do t’i prezantojnë bizneset me zhvillimet më të fundit, praktikat më të mira dhe mënyrat se si IA mund të rrisë efikasitetin, konkurrueshmërinë dhe inovacionin.
Sipas dokumentit, do të realizohen analiza të detajuara dhe biseda me aktorët kryesorë për të identifikuar pengesat dhe mundësitë e zbatimit të IA-së. Rezultatet e këtyre vlerësimeve do të shërbejnë për krijimin e zgjidhjeve të përshtatura sipas sektorëve, në përputhje me strategjinë kombëtare për IA.
Mbështetje financiare dhe stimuj fiskalë
Për të nxitur kërkimin, zhvillimin dhe aplikimin e IA-së, qeveria do të ofrojë grante, skema financimi dhe shpërblime. Startup-et që zhvillojnë zgjidhje me IA do të kenë akses në fonde të dedikuara, përfshirë kuponë inovacioni dhe investime të hershme. Lehtësimet fiskale dhe partneritetet publike-private do të synojnë të përshpejtojnë zhvillimin e teknologjisë dhe të rrisin përfitimet ekonomike. Industria do të ketë mundësi të testojë zgjidhjet e IA-së në kushte reale përmes projekteve pilot dhe mjediseve të posaçme të krijuara në bashkëpunim me qeverinë. Këto do të shërbejnë për të verifikuar efikasitetin dhe për të përshtatur teknologjitë për nevoja specifike.
Po kështu, platforma bashkëpunimi mes universiteteve, qendrave kërkimore dhe industrisë do të lehtësojnë transferimin e teknologjive të reja. Paralelisht, programe trajnimi të specializuara në bashkëpunim me shoqatat e biznesit dhe dhomat e tregtisë do të sigurojnë që fuqia punëtore të jetë e përgatitur për kërkesat e tregut të ardhshëm.
Objektivat strategjikë
Synimet kryesore përfshijnë optimizimin e proceseve, automatizimin e detyrave komplekse, nxitjen e inovacionit dhe transformimin e mënyrës së funksionimit të bizneseve. Pritet që këto masa të hapin rrugë për produkte e shërbime të reja, të rrisin fitimet, të forcojnë konkurrueshmërinë dhe të krijojnë modele të reja biznesi.
Në këtë mënyrë, Shqipëria synon të pozicionohet si një qendër në zhvillim për inovacionin e përgjegjshëm dhe të avancuar të inteligjencës artificiale. /ekofin.al
Artikull i Ekofin.al
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke
cituar “Ekofin.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

