Ndërsa mbeten më pak se tre muaj nga zgjedhjet e 11 majit, Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, SPAK, ka publikuar strategjinë e saj për hetimet e krimeve zgjedhore. SPAK njofton se ka ngritur një strukturë task-forcë, e cila përbëhet nga grupi hetimor në qendër dhe grupet hetimore vëzhguese në terren.
Faza e vëzhgimit në terren që nis në mars, deri në maj parashikohet të përqendrohet në:
• Verifikimi në terren i indicieve apo fakteve rreth kryerjes së veprave penale në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin 2025, nën juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme.
• Verifikim i raportimeve që ngrenë dyshime të arsyeshme mbi keqpërdorimin e buxhetit dhe investimeve publike, gjatë periudhës zgjedhore prej subjekteve të posaçme.
• Monitorimi i mediave dhe rrjeteve sociale për indiciet e mundshme për kryerjen e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve.
• Intensifikimi i bashkëpunimit të ngushtë me agjencitë ligjzbatuese, AIF, sektorin bankar dhe atë financiar.
SPAK njofton gjithashtu se do të ngrihet një platformë e dedikuar për denoncime për kryerjen e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve në faqen zyrtare online të Prokurorisë së Posaçme ku do të konsiderohet përfshirja e një: Numri telefoni emergjent: Krijimi i një numri të posaçëm për qytetarët, vëzhguesit e zgjedhjeve dhe institucionet që duan të raportojnë shkeljet ligjore përgjatë periudhës zgjedhore; Platforme online: Një faqe interneti për raportime anonime, duke përfshirë ngarkimin e provave si video, foto dhe dokumente; Poste elektronike: Një adresë e-mail e dedikuar për raportime me fakte shoqëruese.
Grupet hetimore në terren do të përbëhen nga prokurorë të posaçëm, hetues të BKH-së, hetues financiarë, staf administrativ mbështetës të ndarë sipas 12 Qarqeve dhe 61 Bashkive. Secili grup drejtohet nga një prokuror i posaçëm.
Gjatë periudhës zgjedhore dhe ditës së votimit grupet hetimore në terren do të fokusohen në verifikimin e denoncimeve lidhur me raportimet e aktiviteteve të kryera nga subjekte të posaçme si dhe mundësinë e përdorimit të administratës apo dhe infrastrukturës publike në funksion të fushatës zgjedhore sipas ndarjes në qarqe, në kundërshtim me ligjin.
Grupet hetimore në terren do të kryejnë verifikime në varësi të denoncimeve për kryerjen e veprave penale në kuadër të zgjedhjeve të marra nga Struktura Qendrore, nga shoqëria civile, publiku, media ose nga referimet e marra nga policia e shtetit, si dhe subjektet private dhe shtetërore.
Gjatë periudhës zgjedhore grupet hetimore në terren koordinojnë dhe bashkëpunojnë edhe me drejtuesit dhe prokurorin e gatshëm të zyrave të prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm, drejtuesit e drejtorive të policisë, drejtues të agjencive ligjzbatuese dhe institucioneve të tjera publike në nivel qendror dhe lokal si dhe vëzhguesit e
zgjedhjeve, median, shoqërinë civile, në qarkun që ata mbulojnë. /ekofin.al
Strategjia-e-Hetimit-dhe-Parandalimit-te-Krimit-Zgjedhor-per-Zgjedhjet-per-Kuvendin-2025
