Këshilli i Ministrave miratoi sot strategjinë e sipërmarrjes inovative (2025-2030), e cila parashikon një plan masash për zhvillimin e sipërmarrjes inovative.
Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj u shpreh se kjo strategji mbështet vizionin e qeverisë për të pasur një ekonomi e cila mbështet rritjen e inovacionit, ndërsa ky i fundit mbështet rritjen ekonomike.
“Strategjia do të përqendrohet në 6 sektorë të caktuar, sektorë të identifikuar në një tjetër strategji kombëtare, ajo S3. Strategjia është e përqendruar në nxitjen e inovacionit në sektorë si turizmi, energjia, bujqësia etj, të cilët më së shumti kanë nevojë për rritje të produktivitetit”, tha Ibrahimaj.
Ministrja shprehu besimin se mbështetja e Start Up-eve në këto sektorë do të ndikojë në rritje të produktivitetit, të konkurrueshmërisë dhe në çeljen e tregjeve për bizneset shqiptare, në rrugën drejt anëtarësimit në BE.
Ibrahimaj rikujtoi se thirrja për aplikime në mbështetje të Start Upe-ve do të jetë e hapur deri në datën 5 janar 2025.
“Ky fond është vënë në dispozicion të startup-eve shqiptare. Është një fond prej 300 milionë lekësh i dedikuar startup-eve që operojnë, apo të rinjve që kanë një ide për zhvillimin e biznesit të tyre”, tha Ibrahimaj.
Ministrja bëri të ditur se gjatë vitit 2024 janë financuar 94 startup-e duke përdorur një fond prej 300 milionë lekësh.
“Edhe gjatë vitit 2025 gjithashtu ne do të financojmë një numër të lartë startup-esh. Urojmë gjithashtu që të jetë një numër aplikimesh i lartë dhe të ketë ide inovative të cilat do të zhvillojnë vendin, por pse jo të ketë ide që edhe mund të ndërkombëtarizohen. Thirrja për grantin 2025 mbyllet në datën 5 janar 2025, në orën 12:00 të natës, ndaj i bëj thirrje të gjithëve të nxitojnë dhe mos ta lënë për ditën e fundit. Është një mbështetje për zhvillimin e biznesit e dhënë totalisht nga qeveria shqiptare, ku shpresoj shumë të ketë një numër akoma më të madh përfituesish”, tha Ibrahimaj.