Gjykatës së Lartë i nevojiten gjyqtarë shtesë, këshilltarë dhe staf për të realizuar gjykimin e çështjeve gjyqësore të prapambetura.
Sipas raportit të veprimtarisë së vitit 2024, mesatarisht janë gjykuar nga Gjykata e Lartë 531 çështje themeli në muaj. Në Kolegjin Administrativ janë gjykuar mesatarisht 205 çështje themeli në muaj, në Kolegjin Civil 231 dhe në Kolegjin Penal 95 çështje themeli në muaj.
Po kështu shpërndarja e çështjeve të gjykuara gjatë vitit 2024 rezulton të jetë nga 234-486 çështje për gjyqtar në kolegjin administrativ; nga 375-688 çështje për gjyqtar në Kolegjin Civil dhe nga 430-438 çështje për gjyqtar në Kolegjin Penal.
Gjykata angazhoi edhe 12 Nëpunës për Uljen e Çështjeve të Prapambetura, për inventarizimin e hollësishëm të rreth 29,000 çështjeve të prapambetura që shërbeu si bazë për kategorizimin e çështjeve në grupe prioritare.
Në tërësi, që prej fillimit të zbatimit të Nismës me mbështetjen e USAID dhe më pas, të INL, nëpunësit kanë përpunuar dhe përpiluar formularët përkatës të informacionit të mbi 18,391 çështjeve civile, administrative dhe penale, nga të cilat 17,872 (pra, 97% e çështjeve të përpunuara) u janë caktuar këshilltarëve ligjorë për trajtim, gjatë periudhës prill 2021- dhjetor 2024.
Gjithsej, bazuar në informacionin paraprak të përpunuar nga këta nëpunës gjatë periudhës prill 2021-dhjetor 2024, Gjykata ka shqyrtuar 16,730 çështje (pra, 91% e çështjeve të përpunuara, ose 94% e çështjeve të dorëzuara pranë këshilltarëve ligjorë).
Në tërësi që nga fillimi i mbështetjes, nëpunësit kanë kontribuuar në përpunimin paraprak të 78% të vendimmarrjes së gjykatës.
Numri i madh i çështjeve të grumbulluara në vite në Gjykatën e Lartë mbetet një problem shqetësues dhe një sfidë për veprimtarinë e saj, gjë që ka ndikim të drejtpërdrejtë në ecurinë e procesit të administrimit të shpejtë dhe efektiv të drejtësisë.
Pavarësisht marrjes së masave me karakter legjislativ dhe administrativ, kjo situatë pritet të zgjasë.
Në kushtet aktuale, kur Gjykata e Lartë ka vetëm 1 vakancë të krijuar në fund të vitit 2024, plotësimi me këshilltarë ligjorë sipas organikës së miratuar mbetet thelbësore për të rritur numrin e çështjeve të gjykuara, thuhet në raport.
Gjykata shprehet se për një rezultat më pozitiv dhe që mund të ndryshojë jo vetëm situatën aktuale të çështjeve të prapambetura, por edhe të parandalimit të krijimit të një stoku të ri, është i nevojshëm shtimi i numrit të përgjithshëm të Njësisë së Shërbimit Ligjor (në 3 këshilltarë ligjorë për 1 gjyqtar). Kjo do të bënte të mundur përgatitjen në kohë të sa më shumë çështjeve që duhet të gjykohen nga trupat përkatëse.
Gjithashtu, edhe një shtim i mundshëm i numrit të përgjithshëm të gjyqtarëve të kësaj Gjykate, qoftë edhe për një mandat deri në normalizimin e situatës në Gjykatën e Lartë dhe në 2 gjykatat e apelit, do të mirëpritej me qëllim garantimin e gjykimit brenda një afati të arsyeshëm.
Ndër masa të tjera, Gjykata përmend kolegjin e filtrimit për të përballuar prurjet e reja të çështjeve, kombinimin e këshilltarëve dhe gjyqtarëve dhe gjykimin në dhoma të posaçme, gjithashtu vijueshmërinë e nëpunësve për uljen e çështjeve të prapamberura.
Po kështu, sfidë për vitet në vijim mbetet edhe zgjidhja e çështjes së infrastrukturës së Gjykatës, si dhe përshtatja e mjeteve të punës me kërkesat më të fundit të teknologjisë së informacionit, me qëllim rritjen e efektivitetit në punë, kundrejt metodave klasike të punës.
Krijimi i kushteve të duhura të punës për të gjithë personelin e saj duhet të pajtohet me rolin dhe pozicionin kushtetues që ka, si Gjykata më e lartë në vend, përfundon raporti./ ekofin.al
