Tatimpaguesit në fushën e turizmit që rezultojnë me statusin “pasiv” nuk do t’i shpëtojnë kontrollit tatimor. Plani sektorial i Turizmit i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, duke e konsideruar këtë sektor me risk të lartë, do të kryejë hetim dhe monitorim të të gjithë subjekteve.
Në listë janë të gjithë tatimpaguesit aktivë/pasivë të cilët kanë pasur aktivitet gjatë periudhës qershor- shtator 2024; të gjithë tatimpagues aktivë/pasivë hapur në vitin 2025 dhe tatimpaguesit referuar burimeve të tjera.
Popullata e synuar përfshirë në këtë plan do të rishikohet dhe përditësohet periodikisht gjatë shtrirjes kohore të zbatimit të tij, për të reflektuar ndryshimet strukturore të subjekteve që ushtrojnë aktivitet, përcaktohet në dokument.
Për më tepër Tatimet do t’i rankojnë këto subjekte në plan sipas rëndësisë së aktivitetit ekonomik, duke vlerësuar rolin dhe ndikimin e çdo subjekti në sektorin përkatës.
Një rëndësi të veçantë Tatimet do t’u kushtojnë monitorimit të përmbushjes së detyrimeve tatimore përmes pagesave të kryera dhe identifikimi i rasteve të vonesave në shlyerjen e këtyre detyrimeve.
Analiza e statusit të tatimpaguesve do të përfshijë sërish të gjithë kategoritë (aktivë/pasivë/të regjistruar rishtazi) për të identifikuar ndryshimet strukturore dhe sjelljet fiskale në sektor.
Po kështu, do të analizohen tatimpaguesit me sjellje devijante, të tilla si: dorëzimi i deklaratave me vlerë zero, pavarësisht ushtrimit të aktivitetit apo rënie e theksuar e xhiros në krahasim me periudha të mëparshme, si dhe vonesat e përsëritura në përmbushjen e detyrimeve tatimore.
Për krahasimin e të dhënave fiskale do të merren në konsideratë xhirot në faturat e fiskalizuara dhe deklaratave të TVSH-së; qarkullimi mes muajve të njëpasnjëshëm dhe/ose mes viteve të njëpasnjëshëm. Gjithashtu do të analizohet xhiro e deklaruar dhe numri i punonjësve si dhe numri i këtyre të fundit dhe përgjegjësisë tatimore për TVSH.
Sipas planit, Tatimet pritet të monitorojnë analizojnë mbi bazë mujore faturat e fiskalizuara për si “akomodim”, “çadër”, “shezllon”, etj. Po kështu objekt analize do të jenë struktura akomoduese mbi një kapacitet të caktuar, për të verifikuar regjistrimin në përgjegjësinë tatimore TVSH dhe identifikimi i atyre që aplikojnë normën e reduktuar 6% të TVSH-së, pa qenë të çertifikuar si struktura akomoduese sipas përcaktimeve ligjore. /ekofin.al
