Startup-i i inteligjencës artificiale Thinking Machines Lab njoftoi të martën se ka arritur një partneritet shumëvjeçar me Nvidia, i cili përfshin një investim të konsiderueshëm dhe furnizimin me të paktën një gigavat procesorësh të gjeneratës së ardhshme nga prodhuesi i çipave.
Kushtet financiare të marrëveshjes nuk janë bërë publike.
Sipas marrëveshjes, Thinking Machines, e themeluar vitin e kaluar nga ish-drejtoresha e teknologjisë së OpenAI, Mira Murati, do të përdorë sistemet e ardhshme Vera Rubin të Nvidia duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm. Fuqia llogaritëse do të përdoret kryesisht për trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale të startup-it. Drejtues të industrisë kanë theksuar se 1 gigavat fuqi llogaritëse, e barabartë me energjinë që mund të furnizojë rreth 750 mijë shtëpi në SHBA, mund të kushtojë rreth 50 miliardë dollarë.
Marrëveshja pritet ta ndihmojë Thinking Machines të konkurrojë me rivalët më të mëdhenj në zhvillimin e sistemeve të fuqishme të inteligjencës artificiale dhe njëkohësisht tregon prirjen e industrisë për të rritur në mënyrë agresive kapacitetet llogaritëse.
Thinking Machines u bë shpejt një nga startup-et më të ndjekura në Silicon Valley, pasi siguroi rreth 2 miliardë dollarë në një raund fillestar financimi të udhëhequr nga Andreessen Horowitz, duke e vlerësuar kompaninë në rreth 12 miliardë dollarë. Edhe Nvidia ishte ndër investitorët në këtë raund.
Së fundmi, startup-i ka kërkuar të mbledhë fonde të tjera në një raund të ri financimi që mund ta vlerësojë kompaninë në dhjetëra miliarda dollarë, sipas burimeve të cituara më herët nga Reuters.
Kompania gjithashtu ka përjetuar disa largime të fundit nga drejtuesit e saj, përfshirë bashkëthemeluesin dhe ish-drejtuesin e teknologjisë Barret Zoph dhe bashkëthemeluesin Luke Metz, të cilët u rikthyen te ish-punëdhënësi i tyre OpenAI, mes konkurrencës së ashpër për talentet në fushën e inteligjencës artificiale.
Partneriteti nxjerr në pah edhe rolin gjithnjë e më të madh të Nvidia jo vetëm si furnizues i çipave për AI, por edhe si financues i startup-eve që varen nga këto teknologji. Kompania ka bërë së fundmi një investim prej 30 miliardë dollarësh në OpenAI dhe 10 miliardë dollarë në Anthropic, ndërsa njëkohësisht furnizon me GPU që përdoren për trajnimin dhe funksionimin e modeleve të tyre.
Sipas disa analistëve të industrisë, kjo krijon një qarkullim të mbyllur kapitali dhe kapacitetesh llogaritëse mes kompanive kryesore të AI-së, një dinamikë që ka sjellë krahasime me flluskën e teknologjisë së fundviteve ’90./Përshtati nga Reuters, ekofin.al
