Raporti më i fundit mbi ekosistemin e startup-eve në Shqipëri evidenton një paradoks të fortë mes potencialit dhe kufizimeve strukturore të financimit, duke nxjerrë në pah sfida serioze në kalimin nga faza e hershme drejt rritjes së qëndrueshme.
Sipas gjetjeve, skena e investimeve dominohet nga grantet publike dhe donatorët ndërkombëtarë, ndërsa aktiviteti i investitorëve suportues është ende në fazë konceptuale dhe infrastruktura e kapitalit sipërmarrës (venture capital) pothuajse mungon.
Në mungesë të kapitalit privat, forma kryesore e financimit në fazat e para janë kryesisht kursimet personale të themeluesve, familja dhe miqtë. Kjo gjë kufizon aksesin në ekosistem vetëm për individë me burime financiare personale dhe redukton ndjeshëm vijimësinë për zhvillimin e produktit dhe ndërtimin e ekipeve.
Grantet, veçanërisht përmes programeve si Startup Albania dhe EU4Innovation, luajnë një rol jetik në mbështetjen fillestare, por shumat deri në 100 mijë euro konsiderohen të pamjaftueshme për shkallëzim të produktit apo zgjerim gjeografik. Mungesa e fondeve vendase të venture capital bën që edhe startup-et me performancë të mirë të ngecin pas fazës së validimit fillestar, pa mundësi për të siguruar raunde tipike prej 500 mijë deri në 1.5 milionë euro.
Megjithatë, raporti evidenton edhe zhvillime pozitive që sinjalizojnë një ndryshim gradual, si programet e zgjeruara të BERZH-it, të cilat përfshijnë 5 milionë euro për digjitalizimin e SME-ve dhe iniciativën Star Venture. Këto programe po ofrojnë jo vetëm financim më të madh, por edhe mentorim dhe ndërtim kapacitetesh. Iniciativa të tjera vijnë edhe nga Keiretsu Forum dhe Fil Rouge Capital që përfshijnë midis të tjerash edhe ekspertizë rajonale.
Analiza e financimit në fazat e hershme tregon se startup-et shqiptare janë sistematikisht të nënkapitalizuara, me kapital fillestar shumë më të vegjël krahasuar me ekosisteme të ngjashme.
Në këtë kontekst, Shqipëria paraqet një avantazh relativ në koston e talentit, me paga dukshëm më të ulëta për inxhinierët e software-it krahasuar me rajonin dhe BE-në. Megjithatë raporti paralajmëron se avantazhi i kostos duhet balancuar me rrezikun e emigrimit të talenteve dhe konkurrencën nga tregu global i punës remote.
Sipas të dhënave të raportit, me një pagë mesatare rreth 15 mijë USD në vit për inxhinierët e software, Shqipëria qëndron ndjeshëm nën nivelet e Maltës (~54 mijë USD), Estonisë (~53 mijë USD), Serbisë (Beograd & Novi Sad, ~33 mijë USD) dhe veçanërisht Luksemburgut (~78 mijë USD), ndërsa është pak mbi Nur-Sultanin (Astana) (~14.7 mijë USD).
Ky diferencim i fortë i kostos krijon hapësirë për startup-et që operojnë me fonde të kufizuara, duke lejuar zgjatje të “vijimësisë” dhe optimizim të burimeve financiare për zhvillim teknologjik. Megjithatë, ky avantazh duhet parë në balancë me sfida strukturore, si rreziku i emigrimit të talenteve drejt tregjeve me paga më të larta ose punësimi remote me kompensim ndërkombëtar, si dhe me kufizimet që lidhen me madhësinë dhe pjekurinë e tregut vendas të teknologjisë.
Gjithashtu, të dhënat e krahasuara të vijueshmërisë së financimit me ekosistemet e tjera, tregojnë qartë se avantazhi i kostos së ulët të talentit në Shqipëri nuk përkthehet në një avantazh proporcional në jetëgjatësinë e financimit për startup-et.
Shqipëria shfaq një “vijueshmëri” mesatare rreth 3.6 muaj, dukshëm më i shkurtër se në Maltë (~40.5 muaj), Beograd & Novi Sad (~19.4 muaj), Nur-Sultan (Astana) (~15.3 muaj), Luksemburg (~13.7 muaj) dhe Estoni (~10.9 muaj).
Kjo tregon se, pavarësisht pagave më të ulëta për inxhinierët e software-it, madhësia shumë e kufizuar e kapitalit fillestar (seed) në Shqipëri e neutralizon këtë avantazh, duke i detyruar startup-et të operojnë nën presion ekstrem kohe dhe kapitali.
Si pasojë, kompanitë e reja shpesh futen herët në cikle të reja për ngritje fondesh ose kufizojnë ambicien për rritje dhe zgjerim tregu, duke u fokusuar më tepër në mbijetesë sesa në ndërtim të qëndrueshëm afatgjatë.
Ky kombinim i fondeve të vogla dhe afateve shumë të shkurtra operative krijon një mjedis sfidues për arritje domethënëse dhe ul konkurrueshmërinë strukturore të ekosistemit startup shqiptar krahasuar me rajonin dhe BE-në./ekofin.al

