Përdorimi i shërbimeve shëndetësore në Shqipëri ka shënuar rritje gjatë vitit 2025, si në kujdesin shëndetësor parësor, ashtu edhe në shërbimin spitalor publik. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), gjatë vitit të kaluar u kryen rreth 9.2 milionë vizita në kujdesin shëndetësor parësor, me një rritje prej 2.9% krahasuar me vitin 2024.
Të dhënat pasqyrojnë aktivitetin e institucioneve shëndetësore dhe kërkesën për shërbime mjekësore, nga konsultat e zakonshme dhe kujdesi parandalues deri te trajtimet spitalore dhe ndërhyrjet kirurgjikale.
Kujdesi parësor, 9.2 milionë vizita gjatë vitit
Qendrat shëndetësore vijojnë të përbëjnë një nga pikat kryesore të kontaktit të qytetarëve me sistemin shëndetësor. Sipas INSTAT, 42.2% e vizitave të regjistruara gjatë vitit 2025 u kryen në qendrat shëndetësore, 34.1% në poliklinika dhe 23.7% në ambulanca.
Një pjesë e konsiderueshme e shërbimeve i është dedikuar popullsisë së moshuar. Personat mbi 60 vjeç përbënin 34% të vizitave në qendrat shëndetësore dhe ambulanca, duke evidentuar rëndësinë e kujdesit të vazhdueshëm mjekësor për këtë grupmoshë.
Rritja e numrit të vizitave tregon përdorim më të madh të shërbimeve të kujdesit parësor, të cilat përfshijnë konsultat mjekësore, ndjekjen e problemeve shëndetësore dhe shërbimet bazë parandaluese.

Bien vizitat në konsultorin e gruas dhe të fëmijës
Ndryshe nga tendenca e përgjithshme e kujdesit parësor, disa shërbime të specializuara kanë regjistruar rënie gjatë vitit 2025.
Në konsultorin e gruas u regjistruan gjithsej 181,908 vizita, 1.6% më pak se në vitin 2024. Prej tyre, 75.2% ishin vizita obstetrikale dhe 24.8% vizita gjinekologjike. Nga vizitat obstetrikale, 50.4% u realizuan me asistencën e mjekut specialist. Edhe konsultori i fëmijës shënoi një rënie të aktivitetit.
Gjatë vitit u regjistruan rreth 223 mijë fëmijë dhe u kryen afërsisht 697 mijë vizita, ose mesatarisht 3.1 vizita për fëmijë. Numri i vizitave ishte 4.7% më i ulët krahasuar me një vit më parë.
Megjithatë, mbulimi vaksinal i fëmijëve brenda vitit të parë të jetës vijoi të ishte i lartë, në intervalin 96%–99%, në varësi të vaksinës së përfshirë në skemën kombëtare.
Këto të dhëna nxjerrin në pah rëndësinë e vijimësisë së shërbimeve parandaluese dhe të ndjekjes periodike të shëndetit të grave dhe fëmijëve.
Më shumë pacientë të shtruar në spitalet publike
Në vitin 2025, Shqipëria kishte gjithsej 75 spitale, nga të cilat 43 publike dhe 32 private.
Sipas INSTAT, institucionet publike të shërbimit spitalor kishin në dispozicion 9,065 shtretër. Për llogaritjen e treguesve të aktivitetit spitalor u morën në konsideratë 7,865 shtretër.
Gjatë vitit 2025, në institucionet publike që përfshijnë shërbimet me ditë qëndrimi, hemodializën dhe kujdesin paliativ u regjistruan 306,736 pacientë të shtruar, një rritje prej 2.5% krahasuar me vitin 2024.
Edhe aktiviteti kirurgjikal shënoi rritje. Në shërbimin spitalor publik u kryen gjithsej 66,858 ndërhyrje kirurgjikale, 2.4% më shumë se një vit më parë.
Këto shifra pasqyrojnë një volum më të lartë të aktivitetit spitalor dhe një numër në rritje të pacientëve që kanë marrë trajtim në institucionet publike shëndetësore.
Treguesit e shfrytëzimit të shtretërve japin një tjetër panoramë të aktivitetit të spitaleve publike. Gjatë vitit 2025, një shtrat spitalor u shfrytëzua mesatarisht për 176 ditë, që përfaqësojnë 48.2% të ditëve kalendarike të vitit.
Ndërkohë, qëndrimi mesatar i një pacienti në spital ishte 4.5 ditë, ndërsa xhiroja e shtratit arriti në 38.7 pacientë në vit./ekofin.al
