Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani ndau sot para Këshillit të Lartë të Prokurorisë, raportin vjetor të punës së SPAK gjatë vitit 2024.
Dumani u shpreh në nisje të fjalës së tij, se ky raport vjetor është dorëzuar me shkrim brenda afateve ligjore para KLP-së. “KLP është i vetmi institucion që ka reaguar kundër sulmeve ndaj SPAK, ndërsa ky është një raport që na bën optimistë për rezultatet e arritura”, tha Dumani.
Kreu i SPAK u ndal te lufta ndaj korrupsionit, ku theksoi faktin se 33 ish-zyrtarë të lartë janë nën hetim, ndërsa për 10 prej tyre ka pasur vendim të formës së prerë.
“Hetimet kanë provuar se korrupsioni zhvillohet në mënyra të sofistikuara. Kallëzimet e nisura nga qytetarët janë tregues i rritjes së besimit ndaj SPAK. Ndërsa vihet re ulje e numrit të kallëzimeve nga Policia e Shtetit”, tha ai.
“Në lidhje me krimin e organizuar, gjatë 2024 kanë pësuar një trend rritës çështjet e hetuara dhe të përfunduara. 18,8% rritje të procedimeve penale krahasuar me 2023. Një rritje me 35% vërehet edhe me hetimet e përfunduara krahasuar me 2023-shin. Ka një përmirësim të vazhdueshëm në përfundimin e hetimeve”, nënvizoi Dumani.
Kreu i SPAK, theksoi se kjo strukturë ka hetuar një numër të konsiderueshëm zyrtarësh të lartë, ndërsa sipas Dumanit “rritje ka shënuar edhe numri i procedimeve për veprën penale për pastrim parash, rritje me 34%, krahasuar me vitin paraardhës, rritje në masën 34% ndërkohë që krahasuar me 2021 këto procedime janë trefishuar”.
“Gjatë 2024, konstatohen 132 hetime të filluara me kallëzime nga individë dhe institucione. Hetimet e filluara nga kallëzimet e qytetarëve janë dëshmi e rritjes së besimit të publikut tek institucioni i Prokurorisë së Posaçme”, pohoi Dumani.
Ai tha se vlera e pasurive të sekuestruara për vitin 2024, arrin në vlerën e 27 milionë eurove, ndërsa i atyre të konfiskuara në vlerën 36 milionë euro.
Hetimet e filluara nga kallëzimet e qytetarëve janë dëshmi e rritjes së besimit të publikut te insticioni i Prokurorisë së Posaçme, tha Dumani.
