Qeveria pritet të miratojë në mbledhjen e sotme kompensimin financiar të shoqërive të transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës për rritjen e kostove të karburantit në tregun e hidrokarbureve.
Ekofin.al mëson formulën se si do të funksionojë për periudhën 3 mujore, bazuar tek karburanti i shpenzuar një vit më parë.
Sipas projektvendimit nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, kompanitë e transportit do të përfitojnë kompensim në masën 50 lekë për litër karburanti për periudhën mars–maj 2026.
Projektvendimi parashikon që kompensimi të llogaritet mbi bazën e konsumit të karburantit gjatë muajve mars, prill dhe maj 2026, por jo më shumë se sasia e konsumuar në të njëjtën periudhë të vitit 2025 për secilën shoqëri transporti.
Efekti financiar total i skemës së kompensimit arrin në 250 milionë lekë. Nga kjo shumë, 120 milionë lekë do të mbulohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit dhe 130 milionë lekë do të përballohen nga Bashkia Tiranë për operatorët e linjave urbane të kryeqytetit.
Qeveria argumenton se masa synon të mbështesë operatorët e transportit publik përballë kostove të shtuara të karburantit dhe të shmangë ndikimin e drejtpërdrejtë tek qytetarët përmes rritjes së çmimeve të biletave ose reduktimit të shërbimit.
Kompensimi pritet të përfshijë operatorët e transportit urban, rrethqytetës dhe ndërqytetës, ndërsa procedurat, dokumentacioni dhe kriteret e përfitimit do të përcaktohen në vendimin përfundimtar të Këshillit të Ministrave. /ekofin.al

