Kuvendi nis sot në orën 10:00 seancën plenare, ku në rend të ditës është projektligji “Për buxhetin e vitit 2025”.
Për herë të parë në seancë, pas 11 muajsh mungesë, do të jetë edhe Kryetari i PD-së, Sali Berisha. Për këtë arsye, seanca pritet të shoqërohet me debate të forta.
Miratimi i buxhetit kërkon shumicë të thjeshtë votash, teksa sot do të shprehet Komisioni përgjegjës për Ekonominë dhe Financat.
Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi javën e kaluar nen për nen projektbuxhetin për vitin 2025.
Komisioni miratoi shtesë fondi për një sërë institucionesh, ndër to, institucionet e reja të drejtësisë si KLGJ-së me 500 milionë lekë, Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë një fond prej 26.7 milionë lekësh, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik shtohen 32 punonjës me kontratë 6-mujore si dhe shpenzimet e personelit në vlerë 48.1 milionë lekë. Ky fond për të finalizuar procesin e mbylljes së veprimtarisë administrative të këtyre dy komisioneve. Për Shkollën e Magjistraturës shtohet një fond prej 6.1 milionë lekësh.
Për SPAK shtohet një fond prej 200 milionë lekësh, nga të cilat për personelin 100 milionë lekë dhe shpenzime kapitale 100 milionë lekë për rikonstruksionin e godinës. Për Gjykatën Kushtetuese shtohen 5 punonjës dhe shpenzimet me 12 milionë lekë, nga të cilat 7 milionë lekë shpenzime personeli dhe 5 milionë lekë janë shpenzime operative.
Projektbuxhetit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare iu shtua një fond me vlerë prej 6 milionë lekësh që do të shërbejë për ruajtjen dhe konservimin e arkivës së institucionit.
Po ashtu, shtesë fondi me 160 milionë lekësh u miratua edhe për Kuvendin e Shqipërisë për mirëmbajtjen e sistemeve elektronike, rritjen e shpenzimeve për udhëtimet jashtë shtetit në konferencat në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Në Shërbimin Informativ Shtetëror shtohen shpenzimet operative me 50 milionë lekë për aktivitetet e institucionit.
Për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve shtohet një fond prej 134 milionë lekësh për shpenzimet kapitale, konkretisht për financimin e sistemit të indeksimit kërkimit dhe ruajtjes së pamjeve filmike, modulin e hartave të qendrave të votimit, modulin e administratës, etj. Për shpenzimet operative shtohen me 56 milionë lekë për funksionimin e institucionit gjatë zgjedhjeve të 2025-ës.
Po ashtu, shpenzimet e fondit rezervë për zgjedhjet parlamentare shtohen me 500 milionë lekë. Shtesë fondesh përfituan edhe RTSH, INSTAT, KLSH.
