Nga sot, 1 korrik 2025, kushdo që do të drejtohet për kredi bankare, nuk do marrë më financim të plotë, për shkak të hyrjes në fuqi të kufizimeve të reja të vendosura nga Banka e Shqipërisë.
Sipas këtij vendimi, kreditë bankare për shtëpi do të kenë tavan në raport me vlerën e financimit për banesën, si edhe një tavan për kredinë në raport me të ardhurat e kredimarrësit.
Banka e Shqipërisë ka vendosur edhe një kufizim kohor për marrjen e kredisë, më shumë duke iu referuar moshës së pensionit dhe aftësisë paguese të kredimarrësve.
Maksimumi i financimit për blerjen e shtëpisë së parë do të jetë 85% për kredinë në lekë, ndërsa për shtëpinë e dytë do të jetë në masën 80%. Ndërsa, për kreditë në valutë, kufizimet do të jenë respektivisht 75% dhe 70%.
Gjithashtu, sipas vendimit, kufizimi për këstin në varësi të të ardhurave në lekë do të jetë në masën 40% të të ardhurave, pra nuk mund të ketë këst kredie për blerje shtëpie që të jetë më i lartë se 40% e të ardhurave të kredimarrësit. Ndërsa për të ardhurave në valutë, kufizimi do të jetë 45%. Ndërsa për blerjen e shtëpisë së dytë, kufizimet do të jenë respektivisht 35% dhe 30% të të ardhurave.
Vendimi gjithashu rekomandon për bankat zbatimin e një kufiri maksimal në afatin e maturimit në disbursim të kredisë, pavarësisht monedhës, sa minimumi midis 30 vjet dhe numri i viteve deri në arritjen e moshës së pensionit të kredimarrësit (ose të kredimarrësit që e arrin këtë moshë më shpejt në rastin e kredisë me bashkëkredimarrës). /ekofin.al