Sot është afati i fundit përdorëzimin e Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale, DIVA 2024.
Detyrimin e kanë të gjithë ata individë rezidentë dhe jo rezidentë, që gjatë vitit 2024:
• kanë pagë bruto vjetore mbi 1.2 milionë lekë;
• janë të dypunësuar, të paktën për një periudhë tatimore brenda vitit;
• realizojnë të ardhura nga burime të tjera mbi 50 mijë lekë në vit për të cilat nuk është mbajtur tatimi në burim.
Për herë të parë do deklarohen edhe të ardhurat nga platformat Booking dhe Aibnb.
Nga verifikimet paraprake të administratës tatimore, rezultuan rreth 33 milionë euro të ardhura të gjeneruara nga individët nëpërmjet platformave të rrjeteve sociale META, Youtube dhe Google që duhen të deklarohen te DIVA.
Për shkak të ngarkesës, sistemi elektronik nuk punoi mbrëmë për rreth 60 minuta, përkatësisht në orën 20:00 – 21:00.
Afati i deklarimit të Divas, i cili ishte më 31 mars u shty në datën 1 prill për shkak të pushimit zyrtar.
Janë rreth 144 mijë individë sipas Tatimeve që duhet të dorëzojnë deklaratën e të ardhurave për vitin 2024 me ndryshimet ligjore, ndërsa deri më 27 mars kanë qenë rreth 87 mijë individë tashmë e kishin dorëzuar deklaratën e tyre.
Kush nuk e dorëzon deklaratën gjobitet me 3 mijë lekë, të cilës i bashkëngjitet edhe interesi dhe kamatëvonesa. Plotësimi i kësaj deklarate i shërben Administratës Tatimore për të bërë kontrolle për evazion fiskal si dhe për të hetuar pasurinë. /ekofin.al
